“Ta shndërrojmë 8 majin në një ditë vendimmarrjeje për të gjithë shqiptarët”
Kryeministri Berisha apelon për të kontribuar për një proces zgjedhor të standardeve ndërkombëtare
Kryeministri Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve shqiptarë gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të kontribuojnë për një proces zgjedhor të qytetëruar dhe të standardeve ndërkombëtare. Duke bërë këtë thirrje të radhës, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tre ditë para ditës së votimit, në 8 maj, Kryeministri Berisha i adresoi një apel të veçantë të gjithë komisionerëve të angazhuar në procesin zgjedhor në 8 maj, që, jashtë ndikimit partiak, të zbatojnë me ndershmëri dhe rigorozitet ligjin zgjedhor.
“Procesi zgjedhor në datën 8 maj, u shpreh kryeministri, është në duart tuaja, ju përket juve të jeni në lartësinë e vlerave, në lartësinë e vlerësimit që ju keni për liritë tuaja, të respektoni çdo qytetar, çdo votë, t’i përmbaheni ligjit zgjedhor”.
Kreu i qeverisë Berisha gjeti rastin të ftojë gjithashtu, të gjitha forcat politike që në trajnimet që u bëjnë komisionerëve të përfshijnë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it që kanë të bëjnë me funksionimin e komisioneve.
“Fushata elektorale është në treditëshin e fundit të saj. Disa incidente, të shmangshme natyrisht, kanë qenë të papranueshme, por në tërësinë e saj ka qenë një fushatë me pjesëmarrje masive të qytetarëve shqiptarë, dëshmi e vullnetit të tyre për një pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 8 majit. Ditë, në të cilën ata valorizojnë, certifikojnë bindjet e tyre për kandidatin më të mirë, programin më të mirë dhe forcën politike që ata do të mbështesin. Si çdo zgjedhje, por në mënyrë të veçantë këto zgjedhje kanë rëndësi, pasi dëshmia për një proces zgjedhor të qytetëruar, dëshmia për një proces zgjedhor brenda standardeve ndërkombëtare është kontributi më i madh që qytetarët shqiptarë, secili prej tyre nga mosha 18 deri në 100 vjeç, burra e gra, djem e vajza, mund të japin në procesin e integrimit të vendit në Europë. Ky është një rast shumë fatlum që shqiptarët të dëshmojnë se ia kanë dalë të konsolidojnë në udhën e tyre të lirisë, një proces europian, të standardeve ndërkombëtare, proces themelor për një shoqëri të lirë, procesin zgjedhor.
Zgjedhjet janë në ditën më të shënuar të Europës, në festën e Europës. Askush nuk mund t’i bëjë nderim më të madh kësaj dite, sesa të japë ndihmesën e tij për zgjedhje të standardeve europiane. Ky është nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë atë ditë, idealeve dhe aspiratave tona europiane, nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë ditës së Europës. Unë kam një mesazh të veçantë për komisionerët e mazhorancës, por edhe për të gjithë komisionerët. Së pari, dua t’i siguroj ata se, pavarësisht nga forca politike së cilës i përkasin, besimi im është i plotë tek ata, te morali, integriteti, vendosmëria dhe qëndrimi i tyre para ligjit. Janë ata që në datën 8 maj shndërrohen në vendimmarrësit më kryesorë të vendit. Janë ata që në datën 8 maj kanë fatin të jenë kujdestarë të votës së qytetarëve shqiptarë. Kanë ata, procesin zgjedhor në duart e tyre. Thirrja ime ndaj gjithsecilit prej tyre, pa asnjë ndikim partiak, zbatoni ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Ju keni një rast të veçantë në jetën tuaj këtë vit, të jepni ndihmesën më të madhe për veten, për familjen, për komunitetin, për forcën politike që përfaqësoni, për vendin në tërësi dhe ky është zbatimi me ndershmëri, me rigorozitet i ligjit, në datën 8 maj e në vazhdim, në qendrat e numërimit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i ekzekutivit konkludoi duke i bërë thirrje komisionerëve që në lartësinë e vlerave dhe vlerësimit për lirinë, të respektojnë çdo qytetar, çdo votë si dhe t’i përmbahen ligjit zgjedhor. “E mbyll, edhe një herë me një thirrje drejtuar çdo komisioneri. Procesi zgjedhor në datën 8 maj është në duart tuaja, ju përket juve të jeni në lartësinë e vlerave, në lartësinë e vlerësimit që ju keni për liritë tuaja, të respektoni çdo qytetar, çdo votë, t’i përmbaheni ligjit zgjedhor, në mënyrë që së bashku të dëshmojmë se këtë ditë të idealeve të lirisë dhe vlerave të saj, ne e shndërrojmë në një ditë edhe për të gjithë shqiptarët”, deklaroi kryeministri Berisha.