E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjoza: Ne ëndërrojmë një të ardhme më të mirë për qytetin tonë

05-05-2011 / Intervistoi: Leonard QUKU

FLET EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “55”, KANDIDATI I “ALEANCËS PËR QYTETARIN” NË NJËSINË BASHKIAKE NR. 2, ELEZ GJOZA

Me Lulzim Bashën do t’i japim fund neglizhencës së bashkisë së Tiranës ndaj qytetarëve

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr 2 në Tiranë, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Elez Gjoza, deklaron se qytetarët do votojnë në 8 maj alternativën që është më pranë halleve dhe shqetësimeve tyre. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “55”, z.Gjoza thotë se punën e tij si kryetar i minibashkisë nr 2 në kryeqytet do ta nisë me një ndërhyrje të menjëhershme duke filluar nga zona informate, ku problemet e të cilës janë infrastruktura rrugore e shkatërruar, mungesa e shkollave e qendrave shëndetësore, e deri tek mungesa totale e hapësirave të gjelbra dhe këndeve të lojërave. Gjoza premton 3 000 vende të reja pune për banorët e njësisë nr 2, premtim ky, që siç thotë z.Gjoza ka filluar të vihet në jetë, pasi 500 qytetarë janë punësuar tashmë në projektin e ndërtimit të Unazës së Madhe. Ulja e taksave, transparenca me fondet e bashkisë si dhe harmonizimi i raporteve me qeverinë shqiptare, janë çelësi i suksesit të ndërtimit të Tiranës, Metropol Evropian.

Z.Gjozaj, nëse ka në kryeqytet një njësi bashkiake e cila është lënë totalisht në harresë nga bashkia e madhe, është ajo nr 2. Çfarë do të ndryshojë pas 8 majit?
Atëherë, fillimisht do të bëj një ndërhyrje kapilare në zonën informale, pasi në të vërtetë, këtë zonë bashkia e madhe dhe minibashkia, e kanë lënë totalisht në harresë. Rrugë të pakalueshme, rrugë të pandriçuara, mangësia totale e qendrave shëndetësore, mungesa e ambienteve të gjelbra, mungojnë totalisht vendet ku banorët mund të hedhin mbeturinat e tyre. Nuk bëhet fjalë për ambiente çlodhëse dhe ambiente sportive për të rinjtë. Shqetësuese tashmë është problemi i shkollës 9- vjeçare, ku fëmijët iu duhet për 20 minuta të udhëtojnë në kohë me shi, në rrugë të pashtruara, deri te shkolla “Mihal Grameno”. Dhe janë të detyruar, të lagur të qëndrojnë në klasa pa ngrohje, duke përballuar një kohë prej 5-6 orësh si produkt i këtij fenomeni në këtë zonë, fëmijët paraqesin shumë mungesa në ditët në vijim, pasi bëhen produkt i viruseve të ndryshme shëndetësore. Problem imediat, i cili do një ndërhyrje të menjëhershme është ngritja e një tregu cilësor pasi ai mungon krejtësisht. Banorët janë të detyruar të humbasin orë të tëra, për të zbritur me urban që të kryejnë nevojat e tyre për ushqime në pazar. Këta banorë nuk e ndjejnë veten si pjesë të metropolit pasi bashkia e madhe nuk merr votën e tyre. Ata janë të detyruar të vuajnë pasojat e kësaj bashkie dhe minibashkie. Prandaj ata, kanë vendosur të ndërpresin kontratën me bashkinë e madhe dhe minibashkinë, për t’ju bashkangjitur një alternative të re, “Aleanca për Qytetarin”, e cila do t’i përfaqësojë në zgjidhjen e problemeve akute që ata kanë. Ata kërkojnë që, kryetari i bashkisë së Tiranës dhe i minibashkisë nr 2 të vihen në shërbim të tyre, pasi prej 11 vjet resht këta banorë kanë qenë të harruar. Me 8 maj, këta banorë do të vlerësohen dhe do të bëhen pjesë e metropolit, pasi kanë ardhur nga vendet veri-lindore të Shqipërisë për të gjetur një jetë sa më normale dhe qytetare. E gjithë zona informale e shkelur tashmë nga ana ime vuan për 4 km rrugë dytësore të pashtruara, të pa-asfaltuara. Ne, në programin tonë ambicioz për 4 vjeçarin e ardhshëm do të bëjmë që këto rrugë dytësore të shtrohen sipas standardeve evropiane, pasi shumë shpejt edhe Shqipëria do aderojë në Bashkimin Evropian.  

Z.Gjoza, siç e thatë edhe ju, makthi i banorëve është infrastruktura rrugore e rrënuar në shumë lagje, por edhe në segmente kryesore të saj. Si do të marrë fund kjo situatë?
Shqetësimi në njësinë bashkiake nr 2 nuk është vetëm në zonën informale, por në të gjithë zonën e kësaj njësie, pasi për 11 vjet me radhë është hedhur vetëm asfalt elektoral, ku dhe në këto momente veprohet në këtë mënyrë. Por, qytetarët tashmë janë më të përgjegjshëm që bashkia dhe minibashkia e njësisë nr 2 nuk mund të luajë me njerëzit, pasi ata kanë bërë zgjedhjen e duhur. Ata do të votojnë fuqishëm “Aleancën për Qytetarin”, do të votojnë Lulzim Bashën, si njeri vizionar me program të qartë ambicioz, shumë i vendosur dhe pragmatist, pasi, ato që thotë, i bën realitet. Dhe tek një kryetar minibashkie në njësinë nr 2, i cili do jetë në shërbim të këtyre qytetarëve, ku fondet dhe kompetencat që tashmë kryetari i bashkisë i ka decentralizuar, unë do t’i vë në shërbim të qytetarëve me një transparencë të plotë, ku tashmë s’do ketë më asfalte elektorale, por do të ketë rrugë të standardeve evropiane, ku qytetarët do ndjehen si qytetarë evropianë. Nëpërmjet mirë-vjeljes e mirë-administrimit të taksave e tarifave do të sigurojmë fondet e nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës, shtrimin e asfaltimin e rrugëve: Ali Visha, segmenti fundor i rrugës M.Grameno, F.Toptani, M.Papa, B.Allaraj, A.Broci, Rr.Dajtit, M.Doci, I.Tershana, Sh.Ndroqi, S.Brahja etj. Do përmirësojmë sistemin e kanalizimeve, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe gjelbërimit. Qytetarët në mandatin tonë do të kenë tregje të bollshme dhe cilësore, do të kenë shkolla 8 vjeçare, ambiente të gjelbra, duke iu larguar betonizimit të kësaj njësie dhe t’iu përmirësojmë këtyre banorëve ajrin e ndotur, pasi në këto momente kjo normë është 10-fishi i lejuar nga Komuniteti Evropian. Do të ndërtojmë kënde lojërash, për fëmijët tanë, fusha minifutbolli për të rinjtë, pasi janë kthyer objekt i lokaleve të ndryshme në këtë zonë. Një dollar i harxhuar për sportin 4 dollarë më pak harxhon për ilaçe. Prioriteti jonë do të jenë edhe ambientet çlodhëse për moshën e tretë, në mënyrë që edhe ata ta ndjejnë veten të integruar në jetën e këtij komuniteti. Pra, ne do t’i qëndrojmë kontratës së lidhur tashmë përfundimisht me këtë komunitet, pasi ata na besuan. 

Një problem tjetër janë dhe taksat e larta të bizneseve. Ka patur ankesa të drejtpërdrejta nga dhjetëra biznesmenë, por përsëri ato kanë mbetur në nivele të njëjta, a keni ju një projekt konkret për uljen e taksave?
Në të gjitha kontaktet që kemi patur me biznesin e vogël, i cili është frymëmarrja e qytetit tonë, biznesi është i shqetësuar, është drejt falimentimit, nga një konkurrencë e pandershme dhe si pasojë e taksave të tej fryra. Ne, Aleanca për Qytetarin, do të ndërhyjë fuqimisht që të vendosim një konkurrencë të ndershme për të gjitha bizneset dhe do të realizojmë uljen e taksave të pastudiuara 2 deri në 5 herë, duke e afruar këtij lloj biznesi të vogël dhe mundësi kreditimi me kredi të buta nga donatorë dhe bankat e nivelit të dytë. Pasi këto forma do ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe gjallërimin e buxhetit të qytetit tonë. Taksa tashmë do jenë transparente, ku vetë biznesi i vogël do jetë prezent në diskutimin për vendosjen e këtyre taksave. Gjej momentin të them se tregjet tashmë të munguara, do i kthehen qytetarëve, do t’i kthehen banorëve të njësisë bashkiake nr 2 si tregje të standardeve evropiane. 

Çfarë i premtoni banorëve përsa i takon nxitjes së punësimit?
Siç thamë edhe më lart, në qendër të vëmendjes ne do kemi hapjen e vendeve të reja të punës, kryesisht për të rinjtë. Në programin tonë ambicioz, në planin e investimeve për mandatin 4 vjeçar do realizojmë 30 mijë vendeve të reja pune për qytetin e Tiranës dhe 3 mijë për njësinë bashkiake nr 2. Tashmë ne kemi filluar punimet në Unazën e re, ku momentalisht janë punësuar rreth 500 banorë të njësisë bashkiake nr 2, nga zona e Saukut. Investimet tona në infrastrukturë në ndërtimin e shkollave të reja, qendrave shëndetësore, ambiente sportive, këndeve të lojërave, dhënies kredive të buta për biznesin e vogël ne do t’i bëjmë realitet premtimin tonë për realizimin e 30 mijë vendeve të reja pune për qytetin tonë.

Hipotekimi i apartamenteve të qytetarëve ka mbetur një premtim në letër nga kryetari në detyrë i bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kur do t’i marrin hipotekat e tyre qytetarët e Tiranës?
Një shqetësim i madh në këtë njësi dhe në të gjithë qytetin e Tiranës, është hipotekimi i apartamenteve, të cilët qytetarët i disponojnë dhe nuk e ndjejnë veten pronarë të këtyre apartamenteve. Ne kemi premtuar dhe do realizojmë brenda vitit të parë të mandatit, hipotekimin e këtyre apartamenteve ku qytetarët të bëhen pronarë ku mund t’i afrohen me kolateral bankave të nivelit të dytë për të marrë kredi për të zhvilluar biznese dhe apartamentet të marrin vlerën që kanë. Dhe, të ardhurat nga hipotekimi i këtyre apartamenteve do të jenë të mëdha. Të cilat do përdoren po për qytetarët.

Lulzim Basha parashikon më shumë kompetenca për minibashkitë. Cili pritet të jetë efekti i kësaj formule?
Risi në programin e kryetarit të bashkisë z.Lulzim Basha është dhënia e kompetencave minibashkive, ku këto të fundit të jenë në shërbim të qytetarit, duke patur më tepër fonde dhe kompetenca. Deri tani, ato kanë qenë vetëm për të bërë aplikime për kartat e identitetit dhe pasaporta biometrike, pra jashtë funksionit të një minibashkie. Prandaj, ne jemi Aleanca për Qytetarin, jemi në shërbim të tyre, pasi një kryetar bashkie vizionar krijoi mundësinë e dhënies së kompetencave që kryetari i minibashkisë të jetë shërbëtor i banorëve që ai përfaqëson.

Sa e njihni kundërshtarin tuaj në këto zgjedhje dhe cili është komenti juaj për programin e tij elektoral?
Kundërshtari vjen nga një e kaluar me ngarkesa shumë të mëdha ku qytetarët e minibashkisë për 11 vjet rresht kanë qenë të harruar nga forca politike që ai përfaqëson. Ai nuk është i denjë për këta qytetarë, prandaj, njësia bashkiake nr 2 do të rilidhë një kontratë të re me “Aleancën për Qytetarin”. Qytetarët kërkojnë ndryshim. Forca tjetër e ka pasur për 11 vjet rresht administrim e kësaj njësie bashkiake dhe qytetarët e shohin me sytë e tyre çfarë është bërë. Qytetarët kanë nevojë për gjëra të prekshme siç janë punësimi, infrastruktura në tërësi, shkollat, kopshtet etj. të cilat kanë qenë pjesë e fushatës sime të përditshme, përkundrejt fushatës politike që po instrumentalizon kundërshtari im. Në 8 maj, vota e qytetarëve do jetë për këto projekte dhe alternativa të gjalla, të cilat do ua bëjnë jetën më të mirë.

Edi Rama prezantoi dy ditë më parë para qytetarëve se është i gatshëm të lidhë një “pakt me qytetarët”. Ç’nënkupton ky “pakt”, pas 11 vjetësh në krye të bashkisë?
Edi Rama nuk ka patur asnjëherë një kontratë me qytetarët dhe si i tillë ai nuk i ka shërbyer qytetit dhe qytetarëve. Megjithatë, ai dhe të tjerë gjejnë kurajon të kërkojnë një mandat të katërt, pasi mendojnë se me asfaltin e ri-përsëritur elektoral, ata mund të mashtrojnë qytetarët dhe në këtë mandat. Sipas informacioneve tona qytetarët janë bërë pjesë e debatit dhe kanë treguar se “ju nuk mund të ri-përsërisni kontratë me ne”. “Ne ju besuam, por ju shpërfillët besimin tonë”. Tashmë, kontrata e tyre është me “Aleancën për Qytetarin”, është me Lulzim Bashën, është me Elez Gjozën.

Mesazhi i kandidatit të mazhorancës Elez Gjoza, drejtuar qytetarëve të njësisë bashkiake nr 2 në Tiranë...
Ne ëndërrojmë një të ardhme më të mirë për qytetin tonë. Prindërit tanë dëshirojnë ambiente çlodhëse ku të kalojnë paradite dhe pasdite të qeta, motrat dhe vëllezërit tanë dëshirojnë më shumë hapësira në këtë qytet, fëmijët tanë ëndërrojnë shkolla dhe universitete më të mira. Përvoja ime politike më ka mësuar se misioni i një politikani është ai i të qenurit pranë qytetarit për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tij. Këtë jam përpjekur ta realizojë përgjatë gjithë karrierës sime si politikan. Duke vlerësuar maksimalisht mbështetjen që Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” më bëri duke më kandiduar si kryetarin e ardhshëm të Njësisë Bashkiake Nr.2 shpreh dëshirën për t’i shërbyer kësaj njësie dhe qytetit të cilit i përkas. Duke qenë sportist kampion, garat më tërheqin, jam protagonist, prandaj unë do jem fitues më 8 maj. Fitore!

KUSH ËSHTË ELEZ GJOZA
Lindur më 18.10.1959 në Korçë.
I martuar në vitin 1982 me Znj.Majlinda Gjoza (Lulo).
Kam dy vajza Elma dhe Marsela Gjoza.
Banor në rrugën “Todi Shkurti”.

EDUKIMI
1974-1978   - Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej” Tirane.
1978-1981   - Akademia Ushtarake
1999-2003   - Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Master në Degën Transport.

KARRIERA SPORTIVE
1981-1990  - Sportist profesionist pranë Klubit Sportiv “Partizani” në disiplinën e peshëngritjes.
1985-1990  - Trajner i peshëngritjes të ekipit “Partizani”.
1979-1985  - Kampion Kombëtar, anëtar i ekipit kombëtar, pjesëmarrës në disa aktivitete ndërkombëtare, dy medalje nderi. (Kampionati Ballkanik dhe Evropian).
32 rekorde kombëtare, 12 medalje të arta.

KARRIERA PROFESIONALE
1990-1998  - Veprimtari private në fushën e biznesit.
1998-1999  - Në Ministrinë e Financës.
2005-2009  - Aktivitet privat (biznes)
2010  - Drejtor i Drejtorisë së Shfrytëzimit të Transportit Rrugor Qarkut Tiranë.

KARRIERA POLITIKE
2005 – Nënkryetar i PS-së në njësinë bashkiake nr 2.
2007-2009 – Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së qytetit Tiranë.
Prej 2009 e në  vazhdim – Kryetar i LSI-së në Njësinë Bashkiake nr 2 dhe anëtar i kryesisë së LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›