E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flaka e fitores ndizet në Shkodër dhe Durrës – troket ora e plebishitit

05-05-2011 / Leonard Quku

Mazhoranca mbyll fushatën elektorale në Shkodër dhe Durrës, me mitingje masive që votëbesojnë kryebashkiakët e rinj, Lorenc Luka e Ferdinand Xhaferaj.
Berisha: “Në 4 vite Shqipëria do shndërrohet në vendin më të zhvilluar të rajonit”

Pas Vlorës, Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” kanë mbyllur fushatën elektorale në dy qytete të rëndësishme Shkodër dhe Durrës. Kreu i qeverisë Sali Berisha në fjalën e tij para mijëra të pranishmëve në Shkodër dhe Durrës, kërkoi votën më 8 maj, për ndryshimin e madh sikundër tha ai, se brenda 4 viteve Shqipëria do jetë një ndër vendet më të zhvilluara të rajonit.
Duke prezantuar për herë të fundit para qytetarëve kandidatin Ferdinand Xhaferaj, kryeministri Berisha tha se vota për Ferdinand Xhaferaj, është votë për më shumë punësim, për zhvillimin turistik dhe për ndërtimin e Durrësit Evropian me infrastrukturën më moderne.
“Jemi sot për të festuar vendimin e secilit prej jush, vendimin e qytetarëve te Durrësit për të votuar më datën 8 maj, zotin Ferdinand Xhaferri, si qytetar të parë të Durrësit, si kryetar të ri të bashkisë. Duke paraqitur dhe njëherë Ferdinand Xhaferrin ju garantoj ju, se programi i tij për Durrësin e këtij shekulli do të mbështetet me  të gjithë potencialet nga qeveria shqiptare. Vota juaj më 8 maj është para së gjithash votë për shndërrimin e Durrësit në një gjenerator gjigand të krijimit të vendeve të punës, jo vetëm për qytetarët e tij, por për të gjithë shqiptarët. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferaj do t’i hapë rrugën krijimit të mijëra e mijëra vendeve te punës, në turizëm, industri, arsim e të gjitha fushat. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferaj do të jetë votë për Durrësin me infrastrukturën më moderne në Shqipëri. Jam sot këtu për tu zotuar se gjatë këtij mandati do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë, çdo shesh të këtij qyteti dhe do të ndërtojmë një nga bulevardet më madhështore në Shqipëri, bulevardin Durrës-Kallm”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas tij vota për Xhaferajn do jetë votë për jetën akademike dhe universitare të qytetit. Këtu Berisha premtoi ndërtimin e Kampusit Universitar, i cili është dhe një nga objektivat kryesore të Ferdinand Xhaferaj në drejtimin e bashkisë së Durrësit.
“Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferajn do të jetë votë për Durrësin me ujë 24 orë në 24  orë, do të jetë votë për Durrësin akademik dhe universitar, me njërin prej universiteteve me moderne dhe më të fuqishëm të vendit. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferjan do të jetë votë për Durrësin industrial, me një rritje prej së paku 4 herë të prodhimit të tij. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferajn do të jetë votë për potencialet e jashtëzakonshme, trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore të qytetit tuaj, por edhe për gjeninë krijuese të qytetarëve të Durrësit”, tha kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij nga qyteti i Durrësit ku dhe përmbylli fushatën për zgjedhjet e 8 majit, kryeministri Berisha deklaroi se dita e zgjedhjeve do të jetë dita e ëndrrës Europiane.
“Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferaj, do të jetë votë për ëndrrën më të lashtë, më të bukur, më fisnike, më madhështore të Durrësit dhe të mbarë shqiptarëve, për integrimin e Durrësit dhe Shqipërisë në Evropë. 8 maji është dita e Evropës, 8 maji është dita e idealit, ëndrrës suaj evropiane. Në 8 maj, Durrësi, kjo urë e përjetshme  e kombit shqiptar me perëndimin do të votojë blu, do të votojë Ferdinand Xhaferaj, do të votojë të ardhmen e tij. Ju garantoj se 4 vitet që vijnë qytetarët dhe qytetaret e Durrësit, me Ferdinand Xhaferaj do të ngrenë Durrësin, në lartësinë e aspiratave dhe ëndrrave të tyre më të bukura. Në 4 vitet që vijnë, Durrësi do të jetë një nga qytetet më të zhvilluara në brigjet e Adriatikut, Shqipëria një nga vendet më të zhvilluara të rajonit. Ndaj dhe ju ftoj që në 8 maj votoni për Ferdinand Xhaferajn, keni votuar për veten tuaj, për familjen tuaj, për qytetin tuaj të përjetshëm, për të ardhmen tuaj që meritoni, keni votuar për integrimin e Durrësit, integrimin e Shqipërisë në Evropë. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, qyteti juaj është i pari, Durrësi është i përjetshëm, Shqipëria është e para”, deklaroi kryeministri Berisha, para mijëra mbështetësve në qytetin e Durrësit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›