E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tirana dhe Elbasani do largojnë me votë drejtimin e prapambetur”

05-05-2011 / Gazeta 55

Kreu i LSi Ilir Meta mbyll fushatën elektorale në kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi dje nga qyteti i Elbasanit se vota e 8 majit do të jetë për “Aleancën për Qytetarin” që do të realizojë premtimin për të nisur punimet për autostradën më të re në Shqipëri, dhe autostradën më të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Elbasanit, atë që do të bashkojë Tiranën me Elbasanin.
Kreu i LSI-së shprehu bindjen se autostrada dhe tuneli Tiranë-Elbasan do t’i japin një ritëm tjetër qytetit të Elbasanit, dhe mirëqenies për qytetarët e Elbasanit.
Meta i bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit se me fitoren e Durim Hushit në Elbasan, dhe fitoren e padiskutueshme të Lulzim Bashës në Tiranë brenda 18 muajsh me përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan, qyteti i Elbasanit do të jetë një nga qendrat më të zhvilluara jo të Shqipërisë, por të të gjithë rajonit.
“Jam i bindur se me vizionin e tyre dhe me votën që do të marrin në datën 8 maj do ti realizojmë të gjitha ato projekte ku kryefjala është punësimi, ku kryefjala është mirëqenia”, u shpreh kreu i LSI-së.
Meta shprehu besimin se qytetarët elbasanas do të votojnë në 8 maj Durim Hushin, duke iu larguar një herë e përgjithmonë drejtimit të prapambetur që Elbasani po jeton. “Jam i sigurt se Durim Hushi ka të gjithë personalitetin e duhur, ka formimin profesional, është një njeri që ka treguar se di të ngrihet mbi interesat e ngushta edhe të forcave politike, është një njeri që di të shikojë drejt së ardhmes me guxim dhe me kurajë dhe Elbasani ka nevojë për këtë kryetar Bashkie”, u shpreh kreu i LSI-së për kandidatin për kryebashkiak të Elbasanit Durim Hushi.
Sipas Metës, Elbasani ka nevojë për një Kryetar Bashkie me projekte të qarta dhe Durim Hushi i ka të gjitha projektet për ta çuar Elbasanin përpara, dhe jo për një kandidat për Kryetar Bashkie si Qazim Sejdini, që në emër të rrugës së vetme kërkon votën e qytetarëve të Elbasanit.
Duke folur për arritjet e qeverisë së koalicionit të integrimit, meta bëri të ditur se, “me liberalizimin e vizave fituan jo vetëm anëtarë dhe simpatizantë e partive të koalicionit qeverisës, por fituan dhe anëtarë e simpatizantë të partisë socialiste, madje dhe qytetarë elbasanas që u bënë pjesë e grevës së urisë së thirrur nga opozita për pengimin e lëvizjes së lirë. Fitore dhe vetëm fitore në 8 maj. Le të mblidhemi në 9 maj për të festuar fitoren e shkëlqyer të Durim Hushit në Elbasan dhe të Lulzim Bashës në Tiranë”, mbylli fjalën e tij në mitingun elektoral në Elbasan kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›