E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tabaku: Bashkia, ndihmë për viktimat e dhunës në familje

28-05-2012 / Gazeta 55

Bashkia e  Tiranës, Drejtoria e Policisë së Qarkut, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Prokuroria e Tiranës, Zyra e Përmbarimit, Mjeku Ligjor, Drejtoria e Shëndetit Publik, QSUT, Drejtoria Arsimore, Shërbimi Social Shtetëror, Zyra Rajonale e Punësimit, përfaqësues të organizatave jo-fitim prurëse që kanë në fokus të tyre trajtimin e dhunës në familje janë angazhuar përmes një marrëveshje të nënshkruar sot, për të mbështetur dhe trajtuar rastet që pësojnë dhunë në familje. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Zonja Jorida Tabaku u ka drejtuar një mesazh publik të gjithë personave që jetojnë nën presionin e dhunës, se ata nuk janë vetëm por do të kenë mbështetje të plotë nga Bashkia e Tiranës dhe institucione të tjera. “Për shkaqe të ndryshme, shoqëria shqiptare çdo ditë përballet me dukurinë e dhunimit të grave dhe fëmijëve. Është absolutisht e papranueshme, që kushdo, të paktën në qytetin tonë, pavarësisht statusit që ka, të jetojë me frikë, sepse ndihet i pasigurt në shtëpinë e tij, në ambientin ku jeton. Ne sot jemi këtu, për të përcjellë mesazhin se askush nuk është i vetëm. Ne shprehim angazhimin tonë, për t’ju gjendur sa më pranë viktimave të dhunës, ne sot do ta mishërojmë edhe në një marrëveshje të përbashkët, që ka për qëllim përmirësimin e nivelit të sigurisë, përmes një sistemi të reagimit të koordinuar. Të gjithë institucionet e sipërpërmendura do të përbëjnë Komitetin Drejtues, i cili do të koordinojë punën brenda juridiksionit territorial të Qarkut të Tiranës, për identifikimin, referimin dhe adresimin e  çështjeve të dhunës në familje” – theksoi zonja Tabaku. Angazhimi i Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera partnere nuk do të mbetet vetëm në identifikimin dhe asistencën ndaj viktimave të trafikut, por edhe në ofrimin e mundësive këtyre viktimave, për të rifilluar jetën e tyre. “Ne jemi të vendosur  të bëjmë gjithçka, për t’i ndihmuar viktimat e dhunës në familje, për të rifilluar jetën e tyre, për të arritur pavarësinë financiare. Për këtë arsye, nëpërmjet projekteve të sipërmarrjeve sociale, që Bashkia e Tiranës po harton në bashkëpunim me Ministrinë e Punës por edhe organizma të tjerë që operojnë në këtë fushë, do të bëjmë gjithçka të mundur, jo vetëm për mbrojtjen e këtyre viktimave por edhe integrimin e tyre në shoqëri.  Ajo që unë ju garantoj sot është angazhimi maksimal i Bashkisë së Tiranës, për të asistuar çdo qytetar që është viktimë e dhunës në familje, në qytetin tonë” – u shpreh znj. Tabaku.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›