“Dialogu teknik” kosovar-serb, me defekte terminologjike e përmbajtësore!
“Dialogu teknik” kosovar-serb, av ovo, ab inicio – nga fillimi ishte i gjykuar për konkluzione dhe modalitete politike, e kurrsesi “teknike”, në disfavorin e vendit tonë, të çështjes së Kosovës, madje, nga jo pak shkaqe! Në “dialogun teknik”, Kosova, deri tani është përfaqësuar me zëvendëskryeminitren E.T-në (së pakut, nominalisht) në një anë, ndërsa, Serbia me B.S.-në, me një zyrtar politik të rangut funksional dukshëm më të ulët, në anën tjetër; përfaqësimi asimetrik i tillë, apriori, vendin tonë nuk ka mundur të mos e reflektonte, apriori, në nivel më të ulët, më inferior, sepse, bisedimet ndërshtetërore, kurdoherë, ndër të tjera, duhet dhe praktikohen të përfaqësohen përshtatshëm, njëlloj përkrah funksionit të drejtuesve respektivë; Temat në “dialogun teknik”, kryesisht kanë konsistuar nga jurisdiksioni dhe provenienca kosovare (sic) pra , jo reciprokisht edhe nga provenienca e juridisioni serb, ndaj, pashmangshëm në favorin e Serbisë dhe për aq në disfavorin e Kosovës!
Dialogu kosovar-serb (jo për shkak të mungesës së dijes dhe pa keqqëllim-mala fidei), papërshtatshëm, “mekanikisht “ madje edhe gabimisht, është quajtur “dialog teknik” sikundër më parë të ishte arritur marrëveshje ndërshtetërore kosovare - serbiane e ratifikuar në kuvendet e shteteve përkatëse, ta zëmë, për ta rektifikuar apo implementuar atë marrëveshje! Edhe kur dy a më shumë shtete arrijnë e ratifikojnë marrëveshje ndërshtetërore, ekipet profesionale e teknike të tyre, gjatë procesit të negocimeve për implementimin e tyre, nuk zhvillojnë “dialog teknik” por aplikojnë bisedime profesionale për implementimin adekuat të çështjeve teknike të definuara e specifikuara me akte politike ndërshtetërore. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e delegacioneve kosovare – serbiane, duke e trajtuar dialogun ndërshtetëror të tipit “…teknik” në masë të konsiderueshme e kanë reduktuar pozicionin politik të tyre në nivele të përfaqësuesve profesionalë e teknikë të shteteve përkatëse.
Delegacioni kosovar ka hyrë në “dialogun teknik” me Serbinë krejt i papërgatitur politikisht e profesionalisht, pa agjendë të miratuar nga autoriteti kushtetues, i përcaktuar me nenin 84 par. 1 al.9 dhe neni 94 par. 1 al.9 e Kushtetutës së RK-së. Vlerësimin e këtillë e ka konfirmuar jo një herë edhe kryetari i Kuvendit të RK-së, z Jakup Krasniqi, sikundër edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve, jo vetëm opozitarë, të Kuvendit të RK-së!
Së këndejmi, delegacioni kosovar i drejtuar nga Edita Tahiri, në nivel inkompetent, inferior dhe të teledirigjuar, ka pranuar zgjidhje “Take It Or Leave It”, favorizuese për Serbinë e për aq disfavorizuese për Kosovën! Përfundimi i “dialogut teknik” kosovar-serbian, jashtë premisave elementare të parimit juridik – ndërkombëtar, të reciprocitetit, në kushtet e sipërthëna, nuk ka mundur të përfundonte ndryshe pos në formulime e zgjidhje të natyrës “teknike” (të cilat, z. Edita Tahiri i parapëlqen aq shumë, mbase përkojnë me studimet themelore të saj në shkencat teknike - pra, jo edhe me shkencat juridike – ndërkombëtare, politike apo historike të diplomacisë- sic!); “Dialogu teknik” kosovar-serbian, në një etapë, më në fund mbaroi, në vend të një marrëveshjeje ndërshtetërore, të ratifikuar e të publikuar në gazetën zyrtare dhe në medie, në “konkluzione” (vërtet, term dhe shprehje “ala teknike” të paprecedence në relacionet ndërshtetërore dhe në të drejtën ndërkombëtare)madje të paprezantuara para organit kompetent për ratifikimin eventual, të papublikuara pra për aq të panjohura për qytetarët e vendit, të cilëve u referohen kryesisht dhe përfundimisht!
Për dialog dinjitoz, serioz dhe kompetent kosovaro-serb
Tani më pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, përfaqësues ndërkombëtarë të caktuar, angazhohen për vazhdim të pandalshëm të dialogut kosovar-serbian. Në parim, angazhimet e tilla duhet të kuptohen të pranuara , por, jo kurrsesi pa parakushtet elementare për përcaktimin e një platforme objektive, politikisht të arsyeshme dhe të njohur e të afirmuar si dhe kurdoherë të aplikuar në bisedimet ndërshtetërore. Aq më parë e më shumë, kur Kosova, si viktimë e luftës hegjemoniste serbiane, aktualisht, ka kërkesa njerëzore, morale e politike fundamentale të bazuara në doktrinën dhe praktikat e së drejtës ndërkombëtare, në radhë të parë, referuar premisës së reciprocitetit në bisedimet kosovare – serbiane, kompensimeve të dëmeve kolaterale nga lufta hegjemoniste barbare e shtetit serb kundër civilëve të të gjitha moshave e gjinive kryesisht shqiptarë, gjetjes e dorëzimit të civilëve kosovarë kryesisht shqiptarë të “humbur” nëpër trapet e gropat e hapura enkas për fshehje të krimeve të rënda të luftës anekënd shtetit serbian … Aq më parë kur edhe Kuvendi i RK-së, ditë më parë, e ka miratuar rezolutën adresuar ekzekutivit përkatësisht delegacionit kosovar në bisedimet kosovare-serbiane, me të cilën rekomendohet (lexo dhe kupto: kërkohet, urdhërohet, urgjentohet, avokatohet) për t’i parakushtëzuar negociatat në fjalë edhe me zbulimin dhe dorëzimin e të humburve e të pagjeturve civilë kosovarë!
Për strukturë tjetër të delegacionit kosovar për bisedime me delegacionin e shtetit serb
Delegacioni kosovar, i kryesuar nga z. Edita Tahiri në bisedimet kosovare-serbiane, me ngulm ka avokatuar se, me delegacionin serbian zhvillon “dialog teknik”, vetvetiu, është degraduar në nga niveli shtetëror në atë të ekipit profesional për implementimin teknik të ndonjë marrëveshjeje ndërshtetërore, e cila , së pakut formalisht nuk ekziston; madje aktet e marrëveshjeve kosovare - serbiane, delegacionet respektive tok me ekzekutivat e tyre, i kanë emërtuar “dialogje teknike” dhe, aktet qe i kanë miratuar, i kanë quajtur , në vend të marrëveshjeve ndërshtetërore, “konkluzione”, ndryshe terminologjikisht dhe si institute juridike ndërkombëtare të panjohura e, për aq , të pavlerë politike as juridike. Në anën tjetër, delegacioni kosovar në “dialogun teknik” në vend të negociatave në bazë të reciprocitetit, ka zhvilluar bisedime inferiore, joserioze, të papërgjegjshme e të dëmshme për vendin e vet, Kosovën, ndër të tjera , duke e etiketuar në kundërshtim me dinjitetin e integritetin shtetëror madje në kolizion me nenin 1 par. 1 të Kushtetutës së RK-së. Pra , pos dëmtimeve morale, politike, ai delegacion i kryesuar nga z. E Tahiri, nëpërmjet etiketimit të RK-së e ka shkelur Kushtetutën e RK-së, ligjin suprem të shtetit! Për të qenë defekti edhe më skandaloz, aktet e miratuara ndërmjet delegacioneve kosovare-serbiane, delagacioni kosovar me në krye z. E Tahiri, janë formuluar “konkluzione” për t’iu shmangur arbitrarisht e teknoburokratisht ratifikimit eventual të tyre në formulimin adekuat të duhur – marrëveshje ndërshtetërore, në mënyrën e përcaktuar me nenin 17 të Kushtetutës së RK-së.
Dhe për të qenë afera edhe më skandaloze, shteti serb , as ato fare konkluzionesh( në bazë të të cilave pa meritë fitoi statusin e kandidatit për në UE-në e Kosova asgjë prej gjëje) kryeneçësisht nuk i përfill pra nuk i implementon!