E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tabaku: Çështja e pensioneve nuk zgjidhet me retorikë politike

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar kritike situatën e pensionistëve në Shqipëri.

Deputetja e PD-së kërkon që pensionistëve t’u sigurohen kushte më të mira dhe mbështetje më e fuqishme ekonomike, duke theksuar se kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet me retorikë politike, por kërkon vullnet dhe vendime të guximshme për të mbështetur të moshuarit.

Përmes një videomesazhi në rrjete sociale, Tabaku fton pensionistët të pyesin deputetët socialistë: “Çfarë ju blejnë prindërit me 20 lekë në ditë?”. Ajo deklaroi që kjo çështje nuk duhet trajtuar me partizëm, pasi çmimet e rritura prekin njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët.

“Çmimet e rritura i paguajnë njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Me 20 lekë në ditë, sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe, jo më të mbulohen nevojat që kanë sot pensionistët, si ilaçet, ushqimet apo të tjera produkte jetike”, deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se shpërdorimi i buxhetit në 10 vitet e fundit ka arritur shumën prej 8 miliardë eurosh, duke theksuar se ky buxhet mund të ishte përdorur për të rritur pensionet.

“Nëse duan, paratë për pensionistët i nxjerrin nga dheu. Ky është problemi, nuk duan dhe nuk i rrisin pensionet”, thekson Tabaku.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›