E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tabaku: Jam për sistem mazhoritar ku secili të testonte angazhimin ndaj qytetarëve

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha sot në Kuvend se zgjedhjet nuk duhet të jenë as domain i askujt, por edhe as i ndonjë grupi të privilegjuar.

Në fjalën e saj teksa po diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Tabaku tha se “besoj se të gjithë sot e kemi pjekurinë dhe maturinë për të kuptuar se zgjedhjet nuk duhet të jenë as domein i askujt, por nuk duhet të jenë nga njëra anë as e drejta e një grupi të privilegjuar, të cilët vendosin edhe për ata që nuk janë këtu, për grupin e privilegjuar i referohem edhe deputetëve që janë këtu”.

Tabaku u shpreh se “ashtu siç Gjiknuri e tha qartë sot nuk kemi një reformë zgjedhore, sot jemi duke miratuar disa ndryshime që na janë diktuar edhe nga Gjykata Kushtetuese”. Pra sot po miratojmë minimumin e mundshëm dhe në fakt ishte një mendim i mirë të ndahej në dy faza reforma ajo që bllokohej nga Gjykata Kushtetuese dhe ajo që duhej bërë, sot nuk është bërë.

“Ky dështim që fatkeqësisht është në seancën e fundit të parlamentit për një amendim të thelluar të kodit dhe kuadrit ligjor për zgjedhjet në shkelje edhe të angazhimeve të marra edhe nga mazhoranca në qershor 2020 për mua është një dështim i këtij parlamenti që po e mbyll këtë sesion fatkeqësisht duke e diskutuar si gjithmonë Kodin Zgjedhor ditën e  fundit të sesionit me një votim natën ku qytetarët shqiptarë nuk do të marrin vesh shumë çfarë ndodh të nesërmen”, nënvizoi Tabaku.

Më tej Tabaku tha se “jam për një sistem mazhoritar , një sistem qoftë si ai që ishte para 2009 , një sistem ku secili prej nesh punën e tij, meritën e tij, angazhimin e tij ndaj qytetarëve do kishte mundësi ta testonte, kjo është demokracia, kjo është politika”.

“Po, z.Gjiknuri, ne që të gjithë kemi interesa politike, por a ngrihemi ne secili për të ndryshuar rregullat e lojës edhe kur na prekin ne? Kam vënë re që sa herë na është dashur që rregullat që na prekin ne nuk i kemi ndryshuar. Sot jemi duke bërë minimumin e mundshëm, atë që na kërkon Gjykata Kushtetuese, që parlamenti mos ta mbyllë sesionin me shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por nuk po ofrojmë një reformë gjithëpërfshirëse, transparente, të diskutuar dhe të debatuar gjatë, e cila zgjidh disa nga problemet kryesore që të gjithë i kemi përjetuar në zgjedhje ”, tha Tabaku.

“Gjithmonë, vijoi Tabaku, kemi bërë ndryshime të minutës së fundit dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik, që nuk e jep opozita, por mazhoranca.

“Kjo e fundit nuk e ka dhënë asnjëherë vullnetin politik, është e pafalshme mungesa e vullnetit për të ndryshuar sistemin, për të implementuar rekomandimet e OSBE. Po si ka mundësi që diskutojmë pas 30 vitesh tranzicion, të njëjtat probleme që diskutonim 30 vite më parë”, tha Tabaku.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›