E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: “Kodi i etikës”, kod i propagandës së vjetër me mjete të reja - transparenca, detyrim i qeverisë

17-09-2013 / Gazeta 55

Reagim i Partisë Demokratike

Partia Demokratike i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Edi Rama të heqë dorë nga “Kodi i Etikës” duke i kujtuar se transparenca dhe Informimi nuk janë zgjedhje, por detyrim i qeverisë para mediave dhe qytetarëve. Zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Jorida Tabaku në një konferencë për shtyp, deklaroi se “Kodi i Heshtjes”, është kodi i propagandës së vjetër me mjete të reja, një censure shumë e rrezikshme që synon të modelohet si autocensurë dhe vijë sjelljeje për mjetet e informimit publik

“Kodi i heshtjes”, është kodi i propagandës së vjetër me mjete të reja, është kodi i një censure shumë të rrezikshme që synon të modelohet si autocensurë dhe vijë sjelljeje për mjetet e informimit publik”, deklaroi dje zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Reagimi i Partisë Demokratike vjen pas miratimit nga qeveria të ashtuquajturit Kod Etik Ministror. “Qeveria Rama po starton duke krijuar një sistem të mbyllur dhe të kontrolluar të informimit  të publikut, ku çdo gjë duhet të kalojë në vrimë të gjilpërës dhe nëpër filtrat e shumëfishtë që vendos ky kod midis qeverisë dhe mediave”, vuri në dukje zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD-së.
Gjatë konferencës për shtyp, Tabaku shprehu keqardhjen se ky model ka filluar të reflektohet që tani në disa media, të cilat po cungojnë dhe po shtrembërojnë këto ditë qëndrimet  e Partisë Demokratike si dhe qëndrimet e papranueshme të zotit Rama karshi opozitës në parlament. “Partia Demokratike thekson me forcë, se Transparenca dhe Informimi nuk janë zgjedhje, por detyrim  i qeverisë para mediave dhe qytetarëve”, tha ajo. “Partia Demokratike shpreh shqetësimin e saj të thellë për miratimin dhe fillimin e  zbatimit  të menjëhershëm nga qeveria të të ashtuquajturit “Kod të etikës”, që në fakt është kodi i heshtjes. Qeveria Rama  po starton  duke krijuar një  sistem të mbyllur dhe të kontrolluar të informimit të publikut, ku çdo gjë duhet të kalojë në vrimë të gjilpërës dhe nëpër filtrat e shumëfishtë që vendos ky kod midis qeverisë dhe mediave. Aktet flasin. Në ditën e parë të punës qeveria shpalli merakun e saj numër një: si të bunkerizohet dhe si t’u fshihet sa më shumë syve dhe veshëve të publikut, si ta prodhojë vetë imazhin  për vete në ofiçinën e saj propagandistike  dhe jo nëpërmjet  hapjes dhe informimit të  drejtpërdrejtë e  pa pengesa  të publikut. Pse kështu? Pse gjithë ky nxitim për të dalë nga rrezja e transparencës? Çfarë kanë në mendje të bëjnë që nuk duan t’u merret vesh? Janë pyetje që i bën sot çdo media e lirë dhe çdo qytetar i përgjegjshëm, pavarësisht se për cilën parti e ka hedhur votën. Ky është kodi i propagandës së vjetër me mjete të reja; është kodi i një censure shumë të rrezikshme që synon të modelohet si autocensurë dhe vijë sjelljeje për mjetet e informimit publik. Me keqardhje konstatojmë se ky model ka filluar të reflektohet që tani tek disa media, të cilat po cungojnë dhe po shtrembërojnë  këto ditë qëndrimet  e Partisë Demokratike si dhe qëndrimet e papranueshme të zotit Rama karshi opozitës në parlament. Kështu një medium kombëtar dje fshiu nga ekrani kërcënimin e paprecedent të Ramës drejtuar opozites, se nëse ankohej për dhunë, ende nuk ka parë se çdo ti punojë! Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë iluzion se Rama ndryshe flet e ndryshe vepron. Pasi tërhoqi  apo reduktoi  në programin qeverisës mbi dhjetë premtime elektorale, duke u afishuar hapur si shumicë e  mashtrimeve dhe fjalës së ngrënë, sot  firmosën aktin zyrtar që shkallmon transparencën si parim  të qeverisjes  në demokraci. Partia Demokratike thekson me forcë se Transparenca dhe Informimi nuk janë zgjedhje, por detyrim i qeverisë para mediave dhe qytetarëve”- u shpreh Tabaku. Sipas saj,
suksesi i qeverisë nuk mund të sajohet në zyrat dhe atelietë e imazheve dhe as duke parë filxhanin,  por mund të prodhohet vetëm atje ku jetohet, ku punohet, ku ndërtohet, ku mësohet, ku shërbehet. “Partia Demokratike i kërkon me forcë qeverisë të zbatojë me korrektësi standardet demokratike të informimit të publikut dhe mediave, si vlerë supreme e demokracisë europiane, duke u tërhequr nga kodi i saj i mbylljes. Partia Demokratike mbështet pa rezerva mediat e lira në kundërshtimin dhe protestat e tyre kundër këtij Kodi dhe angazhohet të mos i pushojë për asnjë çast përpjekjet në mbrojtje të lirive dhe të drejtave  të garantuara me ligj. Gjatë 8 viteve të fundit ne vendosëm një standard, çdo qytetar, çdo media të kishte akses maksimal ndaj informacionit. Ne nuk presim që ky standard të rritet, presim të paktën që të mbahet”- u shpreh më tej zëdhënësja e grupit parlamentar të PD, Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›