Vëzhgimi/ Rama në Bruksel për të fituar kohën që i humbi vendit për marrjen e Statusit Kandidat

Në fjalimin e parë përpara Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian si Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama ka shtruar domosdoshmërinë e rifitimit të kohës së humbur për realizimin e ëndrrës europiane, integrimin në BE. Mirëpo kohën e humbur të procesit të integrimit Europian e kemi peshqesh prej Edi Ramës që si shef i opozitës bëri gjithçka për të penguar marrjen e Statusit të vendit kandidat. E filloi duke bërë obstruksion me ligjin për imunitetin parlamentar që e shtyri aq sa ia ndryshoi thelbin dhe më pas e bëri tërkuzë votimin e tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian, në mënyrë që vendi të merrte Statusin Kandidat. Çështja e qarkut të Fierit dhe karrigia e Vangjel Ndrekos nuk u përmend në takim, por me siguri nuk ia kanë falur alibinë njeriu anti-integrim që qeshte përpara zyrtarëve të Brukselit, edhe pse është politikani që nxiu fytyrën e vendit me akuza të pandershme dhe të paprovueshme. Edi Rama mund të flasë për çfarë të dojë në takimet në Bruksel, por ai është profilizuar si njeriu që ka fobi ndaj strukturat eurointegruese dhe euroatlantike.
Ndërkohë eurodeputeti Eduard Kukan vlerësoi rolin e qeverisë së larguar lidhur me përpjekjet për integrimin në BE, ndërsa shprehu bindjen se qeveria e re do të mund ta çojë përpara arritjen e këtij objektivi. Duke i konsideruar zgjedhjet e 23 qershorit një test të kaluar me sukses, Kukan kërkoi nga Kryeministri dhe qeveria e tij të lejojnë PE të japë ndihmën e tij në këtë drejtim. “Mendoj se është e rëndësishme dhe e duhur për të përmendur dhe për të vlerësuar punën e Qeverisë që është larguar përsa i përket përpjekjeve për integrimin në BE. Situata politike ka qenë për një kohë të gjatë në vëmendjen e qeverive europiane. Dhe mendojmë se Qeveria e re do të sjellë arritje në këtë drejtim. Zgjedhjet e 23 qershorit ishin një test për demokracinë e Shqipërisë. Shqipëria e ka kaluar këtë test. Ka patur anëtarë të parlamentit që kanë treguar përgjegjshmëri për vëzhgimin e tyre. Kemi parë që integrimi ka qenë në axhendën e fushatës zgejdhore dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Zgjedhjet në përgjithësi kanë qenë kompetitive, ka pasur disa gabime, por përgjithësisht ishin zgjedhje të mira dhe mbi të gjitha, tranzicioni i pushtetit shkoi mirë, që të humburit e zgjedhjeve pranuan rezultatin”, theksoi ai. SIpas eurodeputetit Kukan pa dialog të vërtetë politik do të jetë e vështirë shumë që të ecim përpara. “Zhvillimet e deritanishme kanë treguar se Qeveria e re është e gatshme ta bëjë këtë. Unë uroj qe në të ardhmen të shikojmë fakte dhe prova për këtë. Mesazhi im është që të themi se Parlamenti Europian ka qenë gjithmonë mbështetës për zhvillimet në vendin tuaj, ndaj ju lutemi të na lejoni tju ndihmojmë sa më shumë të kemi mundësi” vlerësoi Kukan. Përtej kësaj, kryeministri socialist Edi Rama sot do të takojë edhe Sekretarin e Përgjitshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmmusen, për të cilën ka thënë gjatë fushatës elektorale se “NATO-ja është Natë!”, që s’jep as bukë dhe as ujë. Sigurisht sot do të përballet me strukturat e organizatës më të fuqishme ushtarake të botës në të cilën bëjmë pjesë edhe për meritat e ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin Rama e ka anatemuar fort.