E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në LSI, Meta: Do rikandidoj për kreun – mirëpres çdo kandidaturë tjetër

05-01-2012 / Gazeta 55

Ilir Meta do rikandidojë për një tjetër mandat në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lajmin e ka dhënë vetë z.Meta gjatë një konference për shtyp sot, të parën për vitin 2012-ë, ku u shpreh se është i gatshëm të jetë pjesë e garës për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese në LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim është në fazën e reformatimit të strukturave drejtuese si dhe zgjedhjen e krerëve të degëve në rrethe, proces ky që pritet të finalizohet brenda pranverës së këtij viti. Meta tha se gjatë këtij viti, LSI do përmirësojë akoma edhe më tej performancën e saj si një forcë politike qeverisëse me qëllim realizimin e objektivave të mazhorancës, por njëkohësisht edhe realizimin e objektivave të LSI-së si një forcë qeverisëse sa më shumë të jetë e mundur. Ndërkaq, Meta e ka cilësuar vitin 2012-ë, 100 vjetorin e Pavarësisë, si një vit të jashtëzakonshëm dhe të rëndësishëm për çdo shqiptar, ndërsa ka shtuar se LSI është e zotuar të garantojë një proces qeverisje gjithëpërfshirës dhe se do të rrisë bashkëpunimin në funksion të integrimit të vendit. Sipas kreut të LSI-së kryefjala e kësaj partie për 2012-ën do të jetë marrja e statusit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Duke komentuar seancën gjyqësore që zhvillohet nesër, për të ashtuquajturin video – përgjimi Meta – Prifti, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se “kjo, tashmë është kthyer në një çështje ordinere që i përket inskenimeve të turpshme të vitit të kaluar”. “Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje ordinere të vitit të kaluar. Ne duhet të shohim përpara”- tha Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›