E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tabaku: Shqipëria duhet të ketë ligj për minimumin jetik si vendet e rajonit dhe BE

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi sot nga foltorja e Parlamentit mocionin për debat mbi projektligjin e minimumit jetik, një nismë që sipas saj mazhoranca e ka refuzuar prej vitesh.

Ajo akuzoi qeverinë se nuk ka vullnet për të miratuar një ligj që është standard në vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.

“Qeveria nuk e do minimumin jetik, që e kanë të gjitha vendet e rajonit dhe BE-së, sepse paratë e buxhetit i përdor për koncesionet, prokurimet dhe aferat që janë nën hetim,” deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate kujtoi se Partia Demokratike ka propozuar mocione me debat për fusha të ndryshme, duke nisur nga rendi dhe krimi i organizuar, zgjedhjet dhe llogaritja e minimumit jetik.

Sipas saj, për disa legjislatura me radhë minimumi jetik ka qenë një kërkesë ligjore e PD-së, e sjellë sa herë është miratuar buxheti.

“Në 13 vitet e mandatit të saj, qeveria shqiptare nuk ka siguruar dot minimumin jetik për shqiptarët. Sot 40% e shpenzimeve familjare shkojnë për ushqime. Nëse çmimet ishin 20% e atyre të BE-së në vitin 2012, sot janë 92% e çmimeve të ushqimeve të vendeve të BE-së,” theksoi ajo.

Tabaku ngriti shqetësimin se pensionistët dhe grupet sociale janë shtresa më e varfër e shoqërisë, ndërsa qeveria refuzon të rrisë pensionet.

“Një çift pensionistësh për të jetuar në Tiranë i duhet mbi 90 mijë lekë në muaj. Sot mbi 600 mijë pensionistë jetojnë në mëshirën e qeverisë. Bonusin e fundvitit ua ka hequr dhe e ka shpërndarë në pagesë mujore, duke e quajtur rritje pensionesh,” u shpreh ajo, duke akuzuar mazhorancën se nuk ka asnjë politikë sociale për të ndihmuar grupet e dizavantazhuara.

Sipas Tabakut, llogaritjet e bëra në vitin 2016 dhe 2022 tregojnë se 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin, duke jetuar nën minimumin jetik.

“Shqipërisë i duhen 53 vite për të arritur standardet ekonomike të BE-së. Ky Parlament asnjëherë nuk është mbledhur për të menduar për shumicën, duke mos diskutuar asnjë politikë sociale që vjen në ndihmë të grupeve të dizavantazhuara,” tha ajo.

Në përfundim, Tabaku paralajmëroi se PD do ta rikthejë sërish projektligjin për minimumin jetik, duke e cilësuar si një detyrim për standardet e munguara sociale.

 “Pa siguruar minimumin jetik, Shqipëria nuk mund të mbyllë hendekun mes të ardhurave të shqiptarëve dhe atyre të rajonit e BE-së. Vendet e rajonit e kanë, BE e ka, pse PS refuzon ta miratojë minimumin jetik?” pyeti ajo.

Pas fjalës së Tabakut, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, hodhi në votim kërkesën për mocion me debat mbi minimumin jetik.

Në fund të votimit, Peleshi njoftoi se kërkesa nuk u miratua.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›