Tabaku: reduktimi i taksave dhe tarifave, 5200 biznese të reja në një vit

Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Tabaku dhe kryetari i minibashkisë Tafaj u takuan me biznesmenë
Drejtues të pushtetit vendor dhe qendror vijuan takimet me bizneset, për t’u njohur me problemet e tyre dhe për të parë së çfarë mund të përmirësohet edhe më tej. Zv/Kryetarja e Bashkisë znj. Jorida Tabaku dhe kryetari i minibashkisë z. Arben Tafaj u takuan me biznesmenë, të cilët ushtrojnë aktivitetin në rrugën “Ferit Xhajko”. Përfaqësuesit e biznesit të vogël vlerësuan uljen e taksave nga Qeveria dhe së fundmi nga administrata e re e Bashkisë, sikundër kërkuan vazhdimin e përpjekjeve për të luftuar informalitetin. “Falë punës së Qeverisë dhe bashkisë, këtë vit është bërë e mundur përgjysmimi i taksave dhe tarifave. Kjo ka bërë që ne të jemi të kënaqur me punën, por edhe të jemi korrekt në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit. Dua të shtojë, se një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe komunikimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, të cilët kanë qenë kurdoherë pranë nesh dhe kemi gjetur mbështetjen dhe përkrahjen e tyre”, theksoi një tregtar. Teksa nj tregtar tjetër shtoi se, “para vitit 2011-të taksat ishin ekstrem të larta dhe nuk kishim mundësi t’i paguanim. Ndërsa sot barra fiskale është ulur dhe pagesa që bëj në vit është 80 mijë lekë (të reja), një tarife mese normale”. “Nuk i besoj askujt që thotë për taksë zero. Aktualisht pushteti vendor na ka bërë shumë lehtësira, pagesat janë minimale për t’u paguar. Jam pro pagesës së taksave, pro taksave të pas 2011-ës dhe jo atyre taksave të larta që ishin në kohën e Ramës. Sot tarifa që paguajë në ditë është afërsisht 3000 lekë (të vjetra), tarifë që ne e paguajmë, por na kthehet në shërbime”, u shpreh një tjetër tregtar. Zv/Kryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku tha se, “regjistrimi vetëm në një vit i 5200 bizneseve të reja, është dëshmia më e mirë e suksesit të lehtësirave fiskale, infrastrukturore dhe luftës kundër informalitetit, ndërmarrë nga administrata e re e Bashkisë së Tiranës”. “Ky sistem që ne kemi ngritur, besoj nga vërtetimet e sotme, tregon edhe njëherë për efikasitetin që kanë strukturat tona të tatimeve. Sigurisht që ne jemi këtu për të diskutuar se si mund të përmirësojmë shërbimet tona, si mundet që bashkia të ofrojë shërbimet e sajë nga njëra anë, por nga ana tjetër edhe biznesi të vlerësohet dhe të paguajë atë taksë që i takon. Gjatë vitit të fundit ne eliminuam 60 taksa dhe tarifa dhe është premtimi jonë dhe njëkohësisht i Kryetarit Basha për ta përmirësuar akoma klimën e të bërit biznes në qytetin e Tiranës”, vijoi Tabaku. Sipas Tabakut, “këto politika fiskale bënë të mundur që vitin e fundit të hapeshin 5200 biznese të reja, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi të hapur për përmirësime. “Unë falënderoj bizneset në këtë zonë, që u treguan të hapur për të bashkëpunuar me ne, por njëkohësisht dhe strukturat e tatimeve, që siç e vutë re kanë një sjellje korrekte me bizneset dhe janë në ndihmë dhe në shërbim të tyre”, u shpreh Zv/Kryetarja e Bashkisë znj. Jorida Tabaku.
...