E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku rrit shënjestrën: Pas europianit për të rinj, ëndërroj medalje olimpike

Pas titullit kampion Europe për të rinj, ku fitoi dy medalje ari në aktivitetin që u zhvillua në Suedi, Ervis Tabaku rrit shënjestrën. Fillimisht peshëngritësi 19-vjeçar premton një tjetër paraqitje të suksesshme në Kampionatin Botëror për të rritur që do të zhvillohet në Korenë e Jugut. Më 27 nëntor 2009, ai do të ngjitet në pedanën e Goiangut, sërish në kategorinë 94 kg. Fakti që do të përfaqësohet për herë të parë në një aktivitet të këtij niveli nuk e tremb talentin elbasanas. Përkundrazi, medaljet e fituara më 31 korrik i kanë dhënë edhe më shumë besim në forcat e tij. "Ju premtoj se aftësitë dhe përgatitjen time do ta shihni në botërorin e të rriturve në Kore, i cili është edhe aktiviteti i parë i këtij lloji për mua. Edhe aty do të konkurroj në peshën 94 kg dhe natyrisht që synoj podiumin", tha Tabaku gjatë një konference për shtyp të organizuar në ambientet e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Kjo mund të cilësohet pa frikë si periudha më e suksesshme e 19-vjeçarit. Përpara dy medaljeve të arta në europianin për të rinj, që i dhanë titujt kampionë në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh, më 19 qershor ai u shpall nënkampion bote për të rinj në Bukuresht, me dy medalje argjendi (në shkëputje dhe dygarësh) dhe një bronzi në shtytje, ndërsa më 1 korrik Tabaku fitoi medalje argjendi në shkëputje në Lojërat XVI Mesdhetare, "Peskara 2009". Me thjeshtësi dhe disi i ndrojtur përpara mediave, ai ka zbuluar edhe ëndrrën e madhe: fitimin e medaljes në Olimpiadën 2012, që do të zhvillohet në Londër. Mosha ende e re dhe paraqitjet e fundit cilësohen si tregues se Tabaku është në rrugën e duhur edhe për realizimin e këtij objektivi. "Objektivi im është që në Lojërat Olimpike Londër 2012 të garoj për medalje. Një arritje e tillë është ëndrra e çdo sportisti", nënvijëzoi peshëngritësi.

Edhe pse ishin mbledhur për të vlerësuar paraqitjet e shtangistit kuqezi, drejtuesit e FSHP-së nuk "harruan" të krijonin polemika në distancë. Pasi konfirmoi synimin që peshëngritësit të fitojnë medalje në Olimpiadë, sekretari Ilir Kraja "shigjetoi" KOKSH-in. Debati lidhet me bursat olimpike, që sipas tij nuk janë ndarë në mënyrë të drejtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›