E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Beogradit, Marti mbërrin edhe në Tiranë

I dërguari i Këshillit të Europës, Dik Marti (Dick Marty), mbërriti dje në Shqipëri, për të hetuar mbi akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit, ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës dhe më pastaj ka trafikuar organet e tyre.

Pas një vizite të iniciuar në Beograd, Marti mbërriti në Shqipëri për të vijuar me rrugën e hetimeve për të mësuar njëherë e mirë të vërtetën e kësaj historie, e cila doli në dritë nga ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla del Ponte. Senatori zviceran pritet të vijë në Shqipëri për të hetuar pohimet, sipas të cilave, veprimet e tilla janë kryer në një shtëpi në Burrel dhe bëhet e ditur se në fund të vizitës së tij faktmbledhëse, i dërguari i Këshillit të Evropës pritet të lëshojë edhe një raport përkatës.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, autoritetet serbë i kanë thënë senatorit Marti se kanë prova për të paktën dhjetë raste të tilla, ndërsa dyshojnë për një numër më të madh të tyre.

Kurse Prishtina i mohon kategorikisht akuzat e tilla. Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, tha se këto janë përpjekje për të dëmtuar luftën e ish-Ushtrisë Çlirimtare, të imazhit të shtetit të ri, por edhe siç thotë ai, përpjekje për të vendosur një baraspeshë nga ana e Beogradit, i cili është përgjegjës për shumë mizori të kryera në Kosovë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›