Tabelat me SHIFRAT e frikshme të rritjes së krimit në vend
Gjeni më poshtë disa të dhëna për rritjen alarmante të krimit në vendin tonë
Kriminaliteti në vend ka pësuar një rritje të ndjeshme dhe këtë e faktojnë dhe krimet e fundit që po ndodhin në mes të ditës në Tiranë. Duke u bazuar në statistika zyrtare dhe në perceptimin e publikut për këtë problem, Partia Socialiste ka organizuar një tryezë debati për këtë çështje. Në këtë tryezë u prezantua dhe strategjia e opozitës për luftën ndaj krimit kur të vijë në pushtet. Kreu i PS-së Edi Rama adresoi në fjalën e tij shqetësimin për rritjen e kriminalitetit dhe tha se kjo është pasojë e keqqeverisjes, paaftësisë së Ministrisë së Brendshme e policisë dhe mungesës së strategjisë së shtetit për ti bërë ballë krimit. Në Shqipëri po ndodh sot diçka jashtëzakonisht alarmante. Mjafton të hapësh çdo ditë televizorin e gazetat për të parë e lexuar se krimi po kthehet me prepotencë të frikshme në një makth shoqëror e individual për qytetarët e Shqipërisë. Edhe shifrat që do të paraqesim këtu për opinionin publik e shprehin pa asnjë ekuivok ngjitjen e përditshme të nivelit të krimit. Vrasjet, shpërthimet me eksploziv, grabitjet me armë në dorë, vjedhjet e pasurisë së qytetarëve, janë kthyer në lajme që faktikisht spërbëjnë më lajm. Trafiqet e kontrabanda gjithëfarëshe po marrin përmasa të reja duke thyer çdo ekuilibër në fushën e betejës me krimin. Krimi po e mbyt Shqipërinë dita-ditës. Pas shifrave e grafikëve në rritje të të gjitha formave të kriminalitetit , qëndron një shoqëri e kërcënuar përditë në sigurinë e saj dhe e privuar dita-ditës nga mundësia për punësim, për edukim të vërtetë, për shërbim shëndetësor normal, për një jetë kulturore reale, bëri Rama tablonë për situatën aktuale. Ai, ashtu siç bëri me papunësinë disa ditë më parë, iu referua shifrave dhe grafikëve zyrtarë mbi numrin e krimeve, ku vihej re një rritje e djeshme e tyre në krahasim me disa vite më parë.






