E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tabutë që po përmbys kriza financiare

ADRIAN CIVICI 

Titulli i këtij shkrimi mund të ishte shumë mirë edhe: “A duhet ta lexojmë dhe interpretojmë më ndryshe ...se deri tani ekonominë?”. Kriza aktuale financiare dhe ekonomike, përveç përpjekjeve maksimale mbarëbotërore për ta stopuar e kontrolluar, po “provokon” dhe një seri reflektimesh akademike e shkencore për mënyrën se si i kemi “interpretuar e aplikuar deri tani në qeverisjen dhe politikat ekonomike” shumë postulate e tabu të shkencës ekonomike. Shumica dërrmuese e ekonomistëve dhe politikanëve, deri pak ditë përpara shpërthimit të krizës ishin tërësisht të bindur e të vendosur në vërtetësinë e padiskutueshme të vlerave të postulateve të tyre. Fjalët magjike që dukej se mund të rregullonin e zgjidhnin pozitivisht çdo gjë ishin “tregu i lirë” dhe “kapitalizmi liberal”. Por kriza e frikshme financiare aktuale dhe pasojat e mëdha ekonomike, financiare e sociale që ajo pritet të lërë pas, krizë e cilësuar si një nga tronditjet më të mëdha në histori të kapitalizmit, ngriti dhe disa pikëpyetje që prekin disa koncepte fondamentale apo tabu të vetë sistemit dhe mënyrës së qeverisjes së tij. Deklaratat e Alan Greenspan-it, ish-presidentit të famshëm të Federal Reserve (Fed) në SHBA, i konsideruar shpesh si “guru i ekonomisë” apo si “magjistari i financave”, se “kriza aktuale vuri në diskutim superioritetin e një sistemi, atij të tregut të lirë, tek e cila ai kishte besuar gjithnjë”, është treguesi më sinjifikativ për një faqe të re që duhet hapur në leximin, kuptimin dhe aplikimin e ekonomisë. Rreshtin e parë të kësaj faqe ndoshta e shkroi Presidenti francez Sarkozy teksa deklaronte se, “shekulli i XXI-të ka nevojë për kapitalizmin e tij, që nuk mund të jetë kurrsesi kapitalizmi i shekullit të kaluar”.
Ndërkohë që politikanët dhe bankierët e të gjithë botës përpiqen për daljen nga kriza, ekonomistët dhe akademikët po mundohen të nxjerrin “mësimet” e duhura, të kuptojnë shkaqet, dhe mbi të gjitha, të përpunojnë modelet dhe instrumentet e reja të politikave ekonomike e financiare që një gjë e tillë të mos përsëritet më si në nivel global ashtu dhe në nivele nacionale. “Recetat” e reja përbëjnë në vetvete tabu të përmbysura për shumë çështje e koncepte deri më sot të glorifikuara. Të gjitha qeveritë, partitë, biznesi apo opinioni publik janë të interesuara maksimalisht për këto “konkluzione” që do të na garantonin mospërsëritjen e kësaj situate globale mjaft shqetësuese. Dhe menjëherë, sapo situata të normalizohet, të gjithë duken të angazhuar për të filluar vënien në praktikë të këtyre koncepteve e praktikave. Në këtë këndvështrim është kardinale edhe për Shqipërinë që të përfshihet sa më gjerësisht në këtë proces, jo vetëm për t’i paraprirë përkeqësimeve strukturore e krizave të mundshme, por mbi të gjitha, për të garantuar koherencë me zhvillimet dhe tendencat e reja ndërkombëtare si dhe për ta lehtësuar më shumë rrugën drejt integrimit evropian. Le të analizojmë disa prej tyre, me efekte afat-shkurtra apo afat-gjata, të shikojmë se çfarë tendence kemi, dhe si duhet të “koordinohemi” me zhvillimet e reja.
Në vitin 1981, Presidenti amerikan Ronald Reagan, dhe në 1986 Kryeministrja britanike Margaret Thatcher me filozofinë e tyre të famshme “Shteti nuk është zgjidhja, ai është vetë problemi”, hapën një faqe të re në mënyrën e konceptimit dhe ndërtimit të ekonomisë dhe politikave ekonomike. Privatizime masive, reduktim drastik të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, liri absolute tregu, pavarësi totale të financave në “produktet” e tyre, besim pa limit në “aftësinë vetë-rregulluese të tregut”, krijimi i një “kombi pronarësh” që mund ta zgjidhte çdo gjë me kredi etj., përbënin shtyllat e “kësaj ere të re” që u përhap shpejt në shumë vende të botës. Dhe e gjithë kjo, jo vetëm falë “shembullit” amerikan apo britanik, por mbi të gjitha edhe si pasojë e “recetave” e “rekomandimeve” të FMN-së, Bankës Botërore etj., të cilat e shtrinë këtë në gjithë vendet që ishin “nën juridiksionin e tyre”. Kriza e sotme duket se i dha fund kësaj eksperience në ekonomi dhe financa. Të paktën për 20-30 vitet e ardhshme, zhvillimet dhe debatet e sotme evidentojnë faktin se në qeverisje dhe politikat ekonomike pritet të kërkohen zgjidhje të tjera në thelb të të cilave qëndron “një prezencë më e madhe e shtetit në ekonomi”, një rikthim në “nxitjen Keynes-iane të ekonomisë”, një privilegjim të “privilegjim të politikave buxhetore në mbështetje të ekonomisë e zhvillimit” dhe një “braktisje e shpejtë e politikave të pastra mos-ndërhyrëse në treg”, një vlerësim më i madh i regulacionizmit” etj. Laburistët e konservatorët britanikë, Barack Obama e John McCain, social-demokratët e kristian-demokratët gjermanë, të majtët e të djathtët italianë, socialistët e popullorët spanjollë etj., bile dhe vetë FMN-ja e Banka Botërore duket “se po bëjnë kthesë” kur është fjala për “raportet ndërmjet tregut dhe shtetit”, kur diskutohet për “ndryshimin e koncepteve dhe metodave në supervizionin bankar e financiar”, kur analizohen “risku dhe tregu financiar”, kur debatohet për “modelin e ri të kapitalizmit” që duhet ndërtuar, etj.
Ndërkohë, në Shqipëri duket se ky “mesazh” është akoma i largët. Na preku jo pak kriza e para disa muajve e lëndëve të para agro-ushqimore e naftës dhe qëndrimi ynë ishte se “ne nuk ndërhymë në treg”, se “ne nuk devijojmë trendet e tregut me ndërhyrje artificiale”, se “tregu vetërregullohet” etj., ndërkohë që shumë vende të botës ndërhynë me shpejtësi duke i kontrolluar apo minimizuar efektet negative të kësaj konjukture ekonomike ndërkombëtare. Vazhdojmë të mos e trajtojmë gjerësisht dilemën e sotme të mjaft vendeve e qeverive të botës: “A duhet të vazhdojmë me reduktimin e shtetit dhe sektorit publik në favor të liberalizimit të tregjeve dhe dominimit absolut të sektorit privat?”. Na mundon pikëpyetja nëse na ka prekur apo pritet të na prekë kriza aktuale botërore, sidomos ajo e ekonomisë reale, dhe përsëri nuk kemi asnjë strategji apo plan rezervë “anti-krizë”, duke u “mbrojtur” me argumentin se nuk prekemi absolutisht nga kriza, ose duke “sulmuar” me argumentin se “do të jetë tregu ai që ta vetë-rregullojë” situatën. Ndërkohë që shumë vende po forcojnë sektorët e tyre publikë në ekonomi dhe shërbime për të pasur më shumë mundësi “manovrimi” me fonde të gjera publike, ne vazhdojmë të privatizojmë me shpejtësi duke ia reduktuar shumë mundësitë politikave publike që të bëhen faktor në zhvillimin e ekuilibruar e të qëndrueshëm ekonomik e social. Ndërkohë që në shumë vende është hapur një debat i madh politik e publik mbi “ndryshimin e prioriteteve buxhetore” dhe rolin e funksionet e buxhetit si një instrument thelbësor “në mbështetje të ekonomisë”, ne vazhdojmë me trendet dhe përmbajtjen tradicionale të prioriteteve e kompozimit të buxhetit. Përveç replikave të zakonshme pozitë-opozitë që ose e ngrenë në qiell ose e hedhin poshtë si të pavlefshëm buxhetin, asnjë debat profesional publik në këtë drejtim nuk ka ndodhur deri tani, sidomos nën optikën e zhvillimeve dhe tendencave të reja të perspektivës “post-krizë”.
Është e natyrshme që duke qenë një vend i vogël dhe në zhvillim, ne nuk mund të pretendojmë shumë “në zhvillimin e teorisë apo praktikave të reja në politikat dhe instrumentet ekonomike”. Por, përtej meritave të pamundura në këtë drejtim, duke iu referuar eksperiencës më të mirë ndërkombëtare, edhe një vend si Shqipëria mund të tregohet “më inteligjent e largpamës” për të përfituar nga “gabimet” apo “sukseset” e homologëve tanë, sidomos në trendet e reja “post-krizë”. Sllovakia, Irlanda, Danimarka, Kroacia, Lituania, Letonia e Estonia, Sllovenia, Republika Çeke, Qipro etj., janë vende më të vogla, ose jo shumë më të mëdha se Shqipëria porsa i përket territorit dhe popullsisë. Çfarë konstatohet në ecurinë recente të tyre? Prioritete të qarta e të qëndrueshme zhvillimi ekonomiko-social të pranuara me konsensus dhe të mbrojtura nga gjithë spektri politik e qeverisës; vlerësimin e problematikës së ecurisë ekonomike e financiare si prioritetin e parë të harxhimit të energjive politike e qeverisëse, si “forumin” ku duhet të marrin pjesë të gjithë me përgjegjshmërinë më maksimale; rritjen e efikasitetit dhe modernizimin e shtetit e institucioneve publike si instrumenti kryesor i garantimit të suksesit të zhvillimit, duke e përshtatur me kushtet e reja nocionin dhe praktikën “shtet/qeveri e vogël por efektive”; futjen masive të “metodave e filozofisë” së sektorit privat në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve publike; orientimin institucional dhe transparencën maksimale të tregut për të eliminuar devijimet dhe efektet monopolistike të tij në dëm të konsumatorëve; qartësinë dhe garantimin afat-gjatë të burimeve të rritjes ekonomike; zëvendësimin gradual të indikatorit “rritje ekonomike” me atë të “mirëqenies dhe zhvillimit social” si indikatorin themelor të suksesit; vendosjen e buxheteve në fokus të diskutimeve masive e pjesëmarrjes së gjerë të ekspertëve, grupeve të interesit e opinionit publik; forcimin e sektorit publik dhe prezencës së shtetit në ekonomi si një faktor i rëndësishëm i hartimit dhe implementimit të politikave të zhvillimit; hartimin e strategjive dhe politikave speciale për thellimin e konvergjencës së ekonomive të tyre me ekonominë e vendeve të zhvilluara evropiane, si dhe, për përballimin më të suksesshëm të efekteve të globalizimit etj.
Kriza aktuale është veç të tjerave dhe një “kambanë gjigante” paralajmëruese ndryshimesh të mëdha në konceptet dhe praktikat e deritashme të “leximit” dhe “interpretimit” të ekonomisë dhe financave. Le të përpiqemi ta lexojmë sa më qartë dhe të reflektojmë në drejtimin e duhur, por mbi të gjitha duke i kushtuar vëmendjen dhe kohën e duhur.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›