Taçi: Milan "grazzie' që realizove ëndrrën shqiptare

Pikërisht kjo ka qenë karakteristika kryesore e konferencës për shtyp, të zhvilluar në hotel “Sheraton” nga organizatorët e “Taçi Oil”, drejtuesve të lartë të Milanit, administratorit Adriano Galiani, trajnerit Karlo Ançeloti dhe yjeve kuqezinj, Paolo Maldini dhe Ronaldinjo, por edhe ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia.
Të gjithë emrat impresionues shprehën njëzëri mirënjohjen e tyre për mikpritjen shqiptare, ndërsa ishte presidenti i “Taçi Oil”, Rezart Taçi, ai që falënderoi miqtë italianë për realizimin e ëndrrës së madhe shqiptare.
Ai ka folur gjithë kohës italisht, për t’iu përgjigjur një pyetjeje të Galianit, nëse shqiptarët flasin gjuhën e italiane.
“Në Shqipëri, të gjithë flasin italisht, por edhe ajo pjesë e vogël, që nuk e njeh gjuhën, flet për futbollin italian”, u përgjigj presidenti Taçi, i cili theksoi më pas: “Është një ditë historike për të gjithë ne. Në stadiumet tona luan skuadra më e madhe dhe me më shumë tituj në gjithë botën. Kemi këtu disa nga emrat, të cilët kanë shkruar historinë e futbollit, trajnerin Ançeloti, Maldinin, Ronaldinjon etj. Dua të falënderoj Galiani: Keni realizuar ëndrrën tonë. Mesazhi i këtij evenimenti është se ëndrrat mund të realizohen, nëse ekziston vullneti. Faleminderit doktor Galiani, faleminderit shumë. Do të jetë një ndeshje futbolli, por të gjithë e ndiejnë sikur të mos ishte një ndeshje e tillë, por një ndeshje feste”.
Në këtë konferencë ka përshëndetur edhe trajneri i Tiranës, Blazhe Slishkoviç : “Për skuadrën time është një nder, që të ndeshet sot me skuadrën më të madhe të botës”.
I paparashikuar në konferencën për shtyp, ishte pikërisht prania e yllit të futbollit brazilian dhe Milanit, ajo që i befasoi mediat.
Dinjo, u tregua i disponueshëm për pyetjet e gazetarëve, jo vetëm nuk harroi të shprehte lumturinë që ndodhej në Shqipëri, por edhe falënderoi të gjithë për mikpritjen. Por, shqiptarët i kujtuan kohën kur luante te PSG, në të njëjtin skuadër me të talentuarit e Kombëtares sonë, Lorik Cana. “Jam shumë i kënaqur që kam shok Lorik Canën”. Ishte pikërisht kjo deklarata e yllit brazilian, e cila elektrizoi sallën e konferencës për shtyp.