E Diel, 1 Nëntor 2026

Debatik Curri: “Ta harrojmë Hungarinë, na pret Portugalia”

Guimares (Portugali), 13 tetor - I ka hidhëruar shumë humbja me Hungarinë (2-0), por që të gjithë duan ta harrojnë sa më parë atë mbrëmje të trishtuar në “Ferenc Pushkash” të Budapestit (11 tetor 2008).

Tashmë, përballë kuqezinjve pas 48 orëve vjen një tjetër sfidë, edhe më e vështirë, por edhe më intriguese. Kombëtarja shqiptare e futbollit është sistemuar në hotel “Hotel de Guimaraes”, rezidenca e saj në ditët portugeze, përpara se të ndeshet në Braga, ditën e mërkurë.

“Ishte më të vërtet për të ardhur keq. Vinim pas tre rezultateve pozitive (Lihtenshtejnin, Suedinë e Maltën) dhe sinqerisht, përjetuam çaste jo të mira pas ndeshjesh. Tani duhet ta harrojmë atë humbje sa më shpejt”, - thotë nga Guimares i Portugalisë, mbrojtësi Debatik Curri, i cili nuk e shmang edhe përgjegjësinë e tij nga goli i dytë i hungarezëve.

“Të dielën, trajneri Han analizoi me ne lojtarët ndeshjen kundër Hungarisë. Në thelb të kritikave ishin gabimet e kryera. Trajneri kërkoi përmirësimin në të gjitha repartet”, - shton autori i një goli të paharrueshëm kundër Holandës, në humbjen 2-1 në Amsterdam (2006) për ndeshjet eliminatore të Euro 2008.

Mbrojtja e Shqipërisë, nuk ishte në ditët më të mira të saj, sidomos në pjesën e dytë të takimit të humbur kundër Hungarisë. Por, në ndeshjen kundër Portugalisë, do të mungojë për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë një titullar i rëndësishëm si Armend Dallku. Një shqetësim më shumë për trajnerin Ari Han, i cili në tre ndeshjet e para ka ndërtuar tre rreshtime të ndryshme në prapavijë.

“Kuptohet, që Armendi (Dallku) është një lojtar titullar e do të ndihet mungesa e tij. Dhe vetë Dallku është mërzit pak, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Dallkuj kërkon të japë maksimumin në çdo ndeshje. Unë personalisht, po, pasi kemi vite që luajmë bashkë dhe e njohim shumë mirë lojën e njëri-tjetrit. Shpresoj se kush do të që të luajë në vendin e tij do të japë maksimumin”, - thekson lojtari i Vorskla Poltavës në Ukrainë, ekip me të cilin prej katër sezonesh luan edhe Dallku.

Mesfushori Lorik Cana u dëmtua në gju gjatë takimit kundër Hungarisë. “Bisedova me Lorikun, edhe gjatë udhëtimit me avion nga Hungaria në Portugali, dhe e ka mirë gjurin. Madje, tani (sot, ora 18:00) do të shkojmë në stërvitje. Edhe vetë Cana beson se do të jetë gati për ndeshjen kundër Portugalisë”.

Një nga emrat më të frikshëm të Portugalisë është mesfushori sulmues Kristiano Ronaldo, kampion i Europës me Mançester Junaitid dhe kandidati kryesor për fitimin e “Topit të artë”. Portugezi u rikthye në ndeshjen kundër Suedisë (0-0), pa mundur të shënojë, si ai ashtu dhe sulmuesi i Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç.

Por sa e frikëson Debatik Currin Kristiano Ronaldo? “Është një lojtar shumë i mirë, dhe nuk kam pse ta fsheh që mua personalisht më pëlqen shumë. Frikë nuk kam pse të kem. Do të jetë vështirë për ta mbuluar, por do të bëjmë të pamundurën për ta nxjerrë jashtë loje. Është më mirë kur luan kundër emrave të mëdhenj. Bën përpjekje maksimale dhe jep natyrshëm më të mirën tënde”, - përfundon Debatik Curri.

E Hene, 13 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›