E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo: Tri pikët me Shqipërinë, të rëndësishme

Kristiano Ronaldo, ylli i kombëtares portugeze, deklaron se tri pikët përballë Shqipërisë janë shumë të rëndësishme.

Mesfushori i krahut, që këtë vit është favoriti kryesor për të fituar çmimet “Lojtari më i Mirë” dhe “Topi i Artë”, kërkon nga skuadra që të mos bëjë hapa falsë.

Për sfidën e së mërkurës, lojtari që ka meritat kryesore në triumfin e Mançester Junajted në Ligën e Kampioneve, kërkon edhe mbështetjen maksimale të tifozëve luzitanë.

Ronaldo u shfaq optimist për takimin që do të luhet në orën 21:45 në Bragë.

“Nuk duhet të flasim më për ndeshjet që kanë ikur, por të fillojmë që tani të mendojmë për sfidën e mesjavës me Shqipërinë.Duhet t’i marrim këto tri pikë, të cilat janë shumë të rëndësishme për ecurinë tonë në grup dhe kërkoj mbështetjen maksimale të tifozëve”.

23-vjeçari është paraqitur në formë të jashtëzakonshme në rikthimin në aksion me përfaqësuesen, pas operacionit në kavilje.

Ai ishte lojtari më i mirë i Portugalisë në barazimin e fundjavës që kaloi në Suedi dhe padyshim që do të jetë rreziku kryesor për kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han.

Mesfushori e vlerësoi pikën e marrë në duelin direkt me Ibrahimoviç: “Do të kishte qenë më keq nëse do të humbnim. U përballëm me një prej përfaqësueseve më të mira në Evropë dhe jo me një skuadër dosido, tha lojtari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›