Tadiç: Do arrestojmë të tjerë për Hagën
Presidenti serb, Boris Tadiç, thotë se Beogradi do t'i përmbushë detyrimet e tij ndërkombëtare për të arrestuar personat e tjerë që kërkohen nga Gjykaka e Hagës për krime lufte. "Bashkëpunimi me gjykatën e Hagës është një fakt që nuk e shmangim nëse duam që të rritim kredibilitetin e Serbisë. Arrestimi i të gjithë personave që janë akuzuar nga Gjykata e Hagës, ka qenë një detyrim i të gjitha qeverive serbe", tha presidenti Tadiç. Ai shprehu mirënjohjen për forcat e sigurisë që u përfshinë në operacionin për arrestimin dhe ekstradimin e Radovan Karaxhiçit. "Si president i Serbisë unë iu shpreh publikisht mirënjohjen time oficerëve të policisë dhe pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë. Ata e vunë veten në rrezik duke bërë punën e tyre. Unë e respektoj këtë dhe gjëja më e rëndësishme është se ata bënë punën që u takonte", tha presidenti serb. Kjo ishte hera e parë që zoti Tadiç foli për këtë çështje që prej arrestimit të ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, i cili u ekstradua në Hagë. Nacionalistët serbë e quajtën zotin Tadiç 'tradhëtar' gjatë protestës që zhvilluan në Beograd pas arrestimit të Radovan Karaxhiçit. Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç dhe udhëheqësi i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiç, janë në listën e personave që kërkohen nga Gjykaka e Hagës. Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës është një ndër kushtet kryesore për afrimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.