E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karaxhiç: Marrëveshja ime me Hollbruk

Ish-lideri serb i Bosnjes, Radovan Karaxhiç ka pranuar për autoritetet serbe marrëveshjen me amerikanët për të mos përfunduar në Hagë

Gazeta “Blic”: Karaxhiçi e ka firmosur marrëveshjen me Hollbruk, por jo Milosheviçi

Një marrëveshje sekrete mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Karaxhiçit? Të paktën kështu ka pretenduar një ish-ministër i Jashtëm serb, i cili ka pohuar në media se ka qenë i pranishëm në takimin Karaxhiç-Hollbruk. Aleksa Buha, ish-ministër i Jashtëm serb ka thënë se ka qënë dëshmitar i marrëveshjes sekrete mes ish udhëheqësit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Riçard Hollbruk. Aleksa Buha i tha Radio Beogradit dje se ai kishte qënë i pranishëm kur Karaxhiçi u takua me Hollbrukun në vitin 1996. Buha pretendon se Karaxhiçi dhe Hollbruku ranë dakord, se Karaxhiçi nuk do të ndiqej penalisht nga Gjykata e Hagës për krime lufte, po të largohej nga jeta publike.

Deklarata e ish-ministrit të Jashtëm serb ka shkaktuar debat, gjatë ditëve të fundit në Beograd. E ndërsa dëshmia fliste për një mbrojtje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Karaxhiç, zyrtarë të ndryshëm e kanë hedhur poshtë një deklaratë të tillë. Departamenti amerikan i Shtetit e hodhi poshtë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë, ndërsa zoti Hollbruk tha të premten se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Në një lajm tjetër të publikuar të dielën, gazeta “Blic” e Serbisë njoftonte se Karaxhiç ka pranuar marrëveshjen me Hollbrukun, për autoritetet serbe, duke shtuar se ishte Milosheviçi ai që nuk pranoi ta firmoste atë. Gjatë marrjes në pyetje në Serbi, Karaxhiç ka pohuar se e ka takuar Hollbrukun në qershor të vitit 1996, së bashku me Aleksa Buhan dhe Momcilo Krajisnik. Në këtë takim kanë rënë dakord që Karaxhiç të hiqte dorë nga jeta publike, për të mos përfunduar në Hagë. ‘Hollbruk më tha mua se nuk ishte një marrëveshje me të, apo me administratën e Klintonit, por me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja u shkuajt dhe duhej të firmosej nga tre njerëz: unë, Hollbruk dhe Milosheviç. Ne e dërguam atë tek Milosheviçi, por ai nuk na e ktheu kurrë mbrapsht. Ai më tha mua: ‘Radovan, pse ju duhet firma, kur po merrni garanci nga fuqia më e madhe në botë”. Më tek, Karaxhiç ka shtuar se e ka zbatuar këtë marrëveshje, duke dhënë dorëheqjen nga të gjitha pozicionet politike. Negociatat mes amerikanëve dhe Karaxhiçit për tërheqjen e tij kanë filluar menjëherë pas Traktatit të Dejtonit, në vitin 1995, ndërsa materialet për këtë marrëveshje ndodhen si në prokurorinë e Serbisë, ashtu edhe në Gjykatën e Hagës.

Del Ponte

Ish-kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte ka pranuar marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Karaxhiçit. “Ka dyshimeve të bazuara se një marrëveshje e tillë ka ekzistuar”,-ka pohuar ajo.

Vukçeviç

Prokurori i krimeve të luftës në Serbi, Slobodan Vukçeviç ka dëgjuar disa dëshmitarë, lidhur me marrëveshjen për Karaxhiçin, mes të cilëve Milan Milutinovic, Krajisnik, Buha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›