Tadiç: Doganierët e Kosovës do të jenë vëzhgues
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i ka bërë thirrje serbëve të veriut të Kosovës dhe liderëve të tyre politikë, që të mos e bllokojnë zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.
"Unë këtë e kërkoj nga ata”, ka thënë Tadiç për mediat serbe. Kjo sipas tij, vlen për liderët në veri të Kosovës, të cilët nuk duhet të fshihen prapa qytetarëve, por edhe për kundërshtarët e tij politikë në Beograd, “të cilët thonë se për çdo gjë duhet të vendosin qytetarët”.
Tadiç thotë se ka qëndrim të njëjtë për largimin e barrikadave ndërsa për marrëveshjen e arritur në Bruksel shton se është në përputhje me interesant nacionale serbe.
“Zgjidhja nuk është ideale, por unë e pranoj atë”, ka thënë Tadiç, transmeton Tanjug. “E kemi arritur atë që në këtë moment ishte e mundur të arrihej. Me këtë marrëveshje asnjëra palë nuk do të jetë tërësisht e kënaqur”, ka thënë presidenti serb. Sipas tij, kjo është marrëveshje për “pikëkalimet administrative e jo për kufij”, duke përsëritur se Serbia nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. “Në marrëveshjen e arritur nuk ka simbole shtetërore të Kosovës, nuk ka asnjë simbol shtetëror, as doganierë të cilët do ta kryenin detyrën doganore, por vetëm do të jenë vëzhgues” ka shtuar ai.