E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic: Ideja për menaxhimin e integruar të kufijve ishte e jona

Boris Tadic tha se ideja për menaxhimin e integruar të kufijve është dhënë nga Beogradi. Siç është e njohur për publikun, Edita Tahiri tashmë i ka thënë “po” këtij propozimi.

Presidenti serb, Boris Tadic tha të dielën se nuk ka marrëveshje për pikëkalimet kufitare me Kosovën, por se po bisedohet për menaxhimin e integruar.

Në pyetjen se i kujt ka qenë propozimi i tillë, Tadic ka thënë se “Beogradi e ka iniciuar”.

Ai thotë se pala shqiptare donte “që kalimet administrative t’i shpallte kufij, por këtë Serbia kurrë nuk do ta pranojë”.

“Për këtë flitet, kjo është tema”, ka thënë ai, transmeton agjencia Beta.

“BE’ja i sheh në mënyrën e vet gjërat, e edhe pala shqiptare në mënyrë e vet. Sidoqoftë, po shkojmë me iniciativë jo vetëm kur është fjala tash te kjo çështje e rendit të ditës, por te tërë aspekti teknik i bisedimeve”.

Sipas Tadicit, deklarata e re e Kuvendit serb për Kosovën nuk është e domosdoshme që të bëhet, sepse Qeveria e ka kornizën për udhëheqjen e politikës për Kosovën që nga deklarata e mëhershme.

Tadic ka thënë se gjenerata e tanishme e politikanëve e ka për obligim që të gjejë zgjidhje për problemin e Kosovës, edhe nëse kjo zgjidhje nuk do t’i kënaqë të gjithë qytetarët e Serbisë.

“Është lehtë të merresh me Kosovën kur nuk ka vendime të rënda”, tha ai.

“Është vështirë të dalësh para qytetarëve e të thuash - ky është qëndrimi im, sepse të gjithë e kanë të qartë se nuk mund të fitojmë gjithçka dhe se më shumë do të humbim sesa të fitojmë”, shtoi Tadic.

Duke përkujtuar se për Kosovën është bërë luftë me NATO’n, Tadic tha se të sjellësh në pyetje vendimet e fuqive të mëdha, përkatësisht pasojat e luftës, patjetër që do të sjell shtimin e agresionit në raportet politike të fuqive të mëdha me Serbinë.

“Kush mendon se Kosova është problem i humbur, ai është shumë naiv”, tha ai.

Tadic ka sqaruar se Kosova sikundër deri më tani, do të mbetet problem i BE’së dhe i SHBA’së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›