E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monti pasardhës i Berlusconit

I ngarkuari me funksionet e kryeministrit të Italisë, ekonomisti i mirënjohur, Mario Monti, një ish-komisionar i Bashkimit Evropian, është caktuar nga Presidenti Gorgio Napolitano të formojë një qeveri të re.

Ky emërim vjen vetëm një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Silvio Berlusconi, për shkak të shqetësimeve ndërkombëtare rreth gjendjes ekonomiko-financiare të Italisë.

Pas të paktën 17 takimeve me politikanë të lartë italianë, Napoletano i kërkoi Mario Montit të formojë një qeveri të re.

Ish-komisionari i Bashkimit Evropian tha se do të luftojë për rritjen ekonomike të vendit dhe për të rigjallëruar krenarinë e Italisë.

"Synoj ta përmbush këtë detyrë me përgjegjësi të lartë dhe në shërbim të vendit tonë”, tha ai. “Në këtë moment veçanërisht të vështirë për Italinë, në një situatë të turbullt për Evropën dhe botën”, shtoi Monti.

Ish partnerët e koalicionit, Partia Liga Veriore, ka refuzuar ta mbështesë Montin si kryeministër dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Analistët thonë se kjo është shenjë që tregon se kryeministri i ri ka përballë një sfidë të vështirë në zbatimin e paketës së masave shtrënguese ekonomike, që u miratua nga parlamenti javën e kaluar për të ulur borxhin e madh publik të Italisë.

Mario Monti është si të thuash e kundërta e Silvio Berlusconit. I paparti, i matur, me sjellje të mirë, paraqitje sovrane dhe njohuri të shumta në ekonomi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›