Zyrapi përfundon dëshminë

Të hënën e ka vazhduar rigjykimi ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ku dëshminë e ka përfunduar ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili ka pohuar se për herë të parë Lahi Brahimajn e ka takuar në prill të vitit 1998, në Shtabin e Përgjithshëm ët UÇK-së.
“Për herë të parë e pash Lahi Brahimajn në Shtabin e Përgjithshëm, në prill të 1998, dhe në periudhën qershor-shtator dhe nuk më kujtohet saktësisht sa herë jemi takuar, por jemi parë shpesh në atë kohë”, u përgjigj Zyrapi në pyetjen e prokurorit se kur e ka takuar për herë të parë Lahi Brahimajn.
Ai sërish ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka qenë në një zonë të caktuar, shpesh ka lëvizur për arsye të sigurisë.
“Ka qenë në bjeshkët e Berishës, në Zonën e Drenicës dhe në këto vende jemi takuar shumë shpesh me Lahi Brahimajn dhe kur e takova në muajin korrik ishte nën kontrollin e Zonës Operative të Dukagjinit, e në atë kohë komandant i Zonës Operative të Dukagjinit ishte Ramush Haradinaj”, tha Zyrapi.
Zyrapi ka dhënë dëshmi edhe të enjten dhe të premten e javës së shkuar, ku ka dëshmuar se Ramush Haradinajn për herë të parë e ka takuar në korrik të vitit 1998 në Jabllanicë dhe se në takimet e tyre kryesisht është biseduar për furnizim me armatim të UÇK-së.
“Në atë takim u diskutua për mënyrën e koordinimit të punëve në zona të tjera operative. Mënyra e koordinimit të punëve, do të thotë që prej Shqipërisë mu furnizuar me mjete dhe kthimin e tyre në Kosovë. Furnizimet me armë dhe mjetet që na nevojiteshin në kohën e luftës. Zona e Dukagjinit kishte përgjegjësin që t’i merrte këto furnizime”, ka thënë Zyrapi.
Rigjykimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj ka nisur më 18 gush dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën.
Ish-komandanti i UÇK-së në Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj ishte shpallur i pafajshëm nga 37 akuzat për krime lufte. Pafajësia e tij u shpall më 3 prill të vitit 2008 nga trupi gjykues.
Por ndaj Haradinajt, Brahimajt e Balajt, me kërkesë të prokurorisë së Tribunalit, Gjykata ka ngritur kallzim penal për gjykim të pjesshëm.
Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj gjykohen në Hagë për herë të dytë, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë rast tjetër në Tribunalin e themeluar nga Kombet e Bashkuara.