E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadic: Serbia interes bashkëpunimi me Shqipërinë

BEOGRAD- Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, vlerëson si të rëndësishme marrëdhëniet me Shqipërinë. Gjatë Konferencës së Ambasadorëve serbe në botë, në pjesën kushtuar bashkëpunimit rajonal, Presidenti Tadiç ka deklaruar se, “Serbia dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, sepse ky është një parakusht për integrimet europiane''. Tadic theksoi se, “asnjë shtet i rajonit nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së politikës të jashtme të Serbisë, si dhe ka shtuar se kjo, në veçanti, ka të bëjë me Shqipërinë''. Duke u përqendruar tek marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe Shqipërisë, Tadiç tha: ''Mendoj se është e palejueshme që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të mbeten të neglizhuara apo të lëna pas dore siç ka qenë rasti në dekadat e fundit. Serbia ka interes për një bashkëpunim me Shqipërinë''. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›