E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja, Kivu 2 orë operacion

MILANO- Mbrojtësi i Interit Kristian Kivu është bërë operacion pas përplasjes me Serxhio Pelizier në ndeshjen e sotme kundër Kievos. Ishte pjesa e dytë, kur në tentativën për të kapur një top që ishte në ajër në hyrje të zonës së Interit, sulmuesi veronez dhe rumuni u përplasën kokë më kokë. Kjo i kushtoi atij daljen me barrelë dhe dërgimin urgjent në spital. Ai është bërë operacion për 2 orë dhe sipas mjekëve, ndoshta do t’i duhet një kohë e gjatë që të rikthehet në fushë, megjithëse kjo mbetet për t’u përcaktuar. “Futbollisti ka pësuar një traumë, që i ka shkaktuar fraktura dhe një hematomë, - sqaroi doktor i Interit, Kombi. – Nuk donim që të rrezikonim që të prekej truri nga kjo goditje. Ndërhyrja shkoi në rregull dhe besojmë se do shërohet pa probleme”. “Nuk ka më asgjë të rëndë. është një hematomë dhe ndoshta nuk do të qëndrojë jashtë për shumë kohë”, tha agjenti i mbrojtësit rumun, Viktor Bekali. Skuadra e Interit menjëherë pas ndeshjes është drejtuar për në spitalin e Veronës, por Kivu ishte në operacion dhe ata u nisën për në Milano.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›