Përmbytjet, krijohet Komiteti Ndërministror në Ministrinë e Brendshme

Analizimi i situatës dhe i gjendjes në zonat e përmbytura ishte motivi i mbledhjes së Komitetit Ndërministror të kryesuar nga Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha. Aty u diskutua për ngritjen dhe funksionimin, që sot, të një qendre të bashkuar operacionale të Komitetit Ndërministror, në Ministrinë e Brendshme, ku të ketë përfaqësues 24 orë në 24 nga të gjitha ministritë e linjës si dhe institucionet e përfshira në përballimin e kësaj situate emergjente.
Kjo qendër e bashkuar do të mbledhë informacionin në kohë reale mbi të gjitha çështjet e emergjencës nga të gjitha institucionet dhe çdo tre orë do të përcjellë informacion për Komitetin Ndërministror dhe anëtarët e tij. Basha i kërkoi ministrive që të paraqesin planet përkatëse të masave dhe informacionin si dhe materialet apo burimet njerëzore për situatën emergjente.