E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi: S’ka bisedime nëse hapet tema e ndarjes së Kosovës

PRISHTINË- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka theksuar se nëse delegacioni serb në bisedimet Kosovë-Serbi do të insistojë që të hapë çështjen e ndarjes së Kosovës, atëherë delegacioni kosovar do të braktisë bisedimet

Mediat vendase bëjnë me dije se Rexhepi u shpreh i vendosur se nuk do të ketë ridizajnim të kufijve të shteteve të Ballkanit sepse, sipas tij kjo nuk do të ndalet vetëm me Kosovën. Ndaj idetë e hedhura kohëve të fundit nga Beogradi zyrtar për ndarjen e Kosovës në kohën kur po zhvillohen bisedimet teknike ne mes Kosovës dhe Serbisë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i quajti ide të çoroditura të shtetit serb dhe të paqëndrueshme.

Në një takim me me studentët e Institutit për Studime Politike dhe Evropiane Ministri i Punëve të Bredshme ka rikujtuar se ideja për ndarjen e Kosovës është në kuadër të politikës zyrtare të hershme të Beogradit.

“Është shumë e qartë edhe nga Prishtina dhe nga faktorët ndërkombëtarë se çështja e ndarjes as që mund të vihet në tryezën e bisedimeve. Kosova në asnjë rast nuk do të hyjë në bisedime me Beogradin për çështje të tilla. Nëse në tavolinën e bisedimeve do të tentohet që të hapet kjo temë, është obligim i palës kosovare që të lëshojë tryezën e bisedimeve”, ka thënë Rexhepi.

Duke rikujtuar edhe një herë se karakteri i bisedimeve Kosovë-Serbi është teknik, ai u shpreh optimist që ky dialog do t’iu shërbejë qytetarëve të të dyja shteteve për lëvizjen e lirë, por edhe shtensionimin politik dhe përmirësimin e raporteve të bashkëpunimit në mes Prishtinës dhe Beogradit.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›