E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, masa për bllokuesit e rrugëve në veri

MITROVICE- Komiteti i Sigurisë në Mitrovicë në takimin e sotëm vlerësoi se gjendja aty mbetet e brishtë dhe kërkoi masa ndaj bllokuesve të rrugëve në veri.

“Strukturat e rendit duhet të veprojnë dhe të mos lejojnë bllokimin e rrugëve”, tha nënkryetari i komunës, Riza Haziri.
Sipas zyrës së shtypit të komunës, Haziri vlerësoi punën e strukturave të sigurisë persa i përket moslejmit të eskalimit të situatës, duke pasur parasysh tendencat e strukturave paralele serbe që dirigjohen nga Beogradi, por dhe konstatoi se mund të bëhet edhe më tepër, pasi bllokadat e rrugëve dhe ngjarje të tilla janë të papranueshme.

Ai përmendi si shqetësim edhe provokimet e maturantëve serbë ndaj qytetarëve joserbë në veri. Sipas tij, “defilimet e tyre nëpër lagjet me popullatë të përzier, por edhe në drejtim të urës së Ibrit me flamuj dhe simbole çetnike, përveç provokimit të situatës janë një shenjë e keqe që dëshmon indoktrinimin e të rinjve nga forcat e errta serbe”.

Haziri theksoi se Komuna e Mitrovicës mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha strukturat e sigurisë në të mirë të sigurisë dhe krijimit të kushteve më të mira për qytetarët. “Ne jemi të hapur dhe të gatshëm për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha ai.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala përmendi në detaje disa nga incidentet e dy javëve të fundit, protestat në veri të Mitrovicës, bllokimin e urës së Ibrit disa herë, bllokimin e rrugëve magjistrale në veri. Ai tha se përkundër problemeve që kanë sjellë këto tubime kohëve të fundit, vërehet se numri i atyre që marrin pjesë është shumë i vogël. “Kjo është një dëshmi se ata nuk e kanë përkrahjen e shumicës në veri”, tha Bala.

Zyrtarë të stacionit jugor të Policisë së Kosovës në Mitrovicë thanë se në zonën e tyre të përgjegjësisë nuk ka pasur ndonjë incident serioz.
(s.g/atsh/balkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›