Tadiq mbështet vizitën e Stefanoviqit në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq ka vlerësuar të mërkurën mbrëma se është mirë që shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviq do të vizitojë Kosovën, pasi që do të njihet me mendimin e institucioneve kosovare lidhur me këto bisedime.
“Ky është një dialog delikat. Zhvillohet në rrethana shumë të vështira dhe pas këtyre bisedimeve do t’i informojmë partnerët tanë evropianë, të cilët janë ndërmjetës në bisedime ose lehtësues, për qëndrimet tona të lidhur me qëndrimet e Prishtinës për të gjitha çështjet e rëndësishme të dialogut”, ka thënë Tadiq në Kragujevc.
Qeveria e Kosovës sot ka njoftuar se ka lejuar vizitën e Stefanoviqit. Tadiq ka theksuar se Serbia është e gatshme të bisedojë me Kosovën lidhur “me të gjitha çështjet më të vështira”.
“Kemi nisur me tema të lehta, por shumë kalojmë në ato më të vështira dhe jemi të gatshëm të bisedojmë për të gjitha çështjet më të vështira”, ka thënë ai.
Tadiq ka vlerësuar se në këto bisedime duhet diskutuar lidhur me një numër të madh temash të jetës së përditshme, të cilat, sipas tij, duhet të zgjidhen, si liria e lëvizjes, furnizimi me energji elektrike dhe përdorimi i shërbimeve të kompanive të telekomunikacionit e deri te tabelat e regjistrimit.
Ai ka theksuar se mos njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë është fakti i vetëm i pandryshueshëm, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se “ne duhet të bllokojmë jetën e qytetarëve”.
“Serbia nuk do të heqë dorë nga interesat e veta shoqërore dhe nuk do të njohë pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës”, është shprehur Tadiq.