Pakoja e Cooper’it
Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, ka sjellë të mërkurën në Prishtinë propozimet europiane për zgjidhjen e çështjeve të diskutuara deri tani mes palëve në Bruksel.
Korniza e mundshme e marrëveshjes që Cooper e ka dorëzuar në kryeqytetin e Kosovës përfshin çështjet e energjisë, telekomunikacionit, lëvizjen e lirë dhe vulën doganore.
Përfaqësuesi i Baroneshës Ashton në këto bisedime ka qëndruar për disa orë në Qeverinë e Kosovës duke biseduar me udhëheqësen e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka konfirmuar për Express se tanimë Prishtina zyrtare ka në tavolinë propozimet e ndërmjetësit Cooper.
“Ai shpalosi parimet europiane lidhur me çështjet e hapura dhe në këtë kontekst të zgjidhjeve europiane kërkoi që edhe palët të analizojnë dhe të kooperojnë, apo të jenë konstruktive”, tha Tahiri.
Shefja e delegacionit të Kosovës ka përmendur temat veç e veç, për të cilat do të provohet të arrihet marrëveshje.
“U ndalëm edhe te çështjet e hapura nga takimet paraprake. Dhe për disa nga këto çështjet e rëndësishme, siç është telekomunikacioni, energjia, lëvizja e lirë dhe çështja e vulave të Doganave të Kosovës dhe njohja e tyre nga Serbia, këmbyem pikëpamje për mundësinë e realizimit të marrëveshjeve kornizë, të cilat do të mund pastaj në takimin e radhës të analizohen dhe të shihet procesi i arritjes së marrëveshjes”, ka thënë Tahiri.
Tani pala kosovare ka kohë që deri më 17 maj të analizojë “propozimet europiane” të ndërmjetësit Robert Cooper dhe të japë pastaj vlerësimet apo komentet gjatë raundit të katërt të bisedimeve në Bruksel.
“Në takimin e ardhshëm të dy palët duhet të paraqesin vlerësimet e tyre lidhur me zgjidhjet europiane për çështjet praktike të hapura në dialog, veçanërisht për katër fushat që i përmenda”, tha ajo.
Tahiri ka thënë se në takimin me Cooper ka biseduar edhe për agjendën e raundit të ardhshëm të bisedimeve.
Delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit kanë filluar procesin e bisedimeve gjatë muajit mars, duke mbajtur tri raunde të bisedimeve.
Deri më tani palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje mes vete, por nga të gjitha anët është folur për një qasje konstruktive në tryezën e bisedimeve. Sido që të jetë, përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Beogradit nuk kanë hezituar të shprehin haptazi mospajtimet për çështjet e nxehta politike.
Përfaqësuesi i BE’së në këto bisedime, Robert Cooper të enjten (sot) do të qëndrojë në Beograd, ku do të takojë udhëheqësin e delegacionit serb në bisedime dhe do t’ia paraqesë edhe atij propozimet e tij për temat e diskutuara deri tani.
Ndryshe, sipas një komunikate të lëshuar për media pas takimit mes Cooper e Tahirit, thuhet se në takim është biseduar për përgatitjen e agjendës për raundin e katërt të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 17 dhe 18 maj në Bruksel, ku temat kryesore përfshijnë çështjen e të pagjeturve, çështjen e trashëgimisë kulturore dhe çështjen e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare.
“Gjithashtu në takim u diskutuan edhe çështjet që tashmë janë të hapura dhe mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve, si dhe u diskutuan edhe elemente të ndryshme të marrëveshjeve të mundshme kornizë, të cilat në një proces mund të rezultojnë edhe në marrëveshje”, thuhet në komunikatë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri, sipas komunikatës, falënderoi ndërmjetësin Robert Cooper dhe Bashkimin Europian për angazhimet konstruktive rreth dialogut me një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të objektivave të dialogut, të cilat synojnë zgjidhjen e çështjeve praktike në të mirë të qytetarëve si dhe në afrimin e Kosovës me BE’në.
Gjithashtu u theksua se rezultatet e dialogut do të shënojnë përparime në bashkëpunimet rajonale si një prej parakushteve për integrimet europiane.