Me autostradë energjetike
Në kohën kur autostrada tokësore është në ndërtim e sipër, nisi ndërtimi edhe i një autostrade tjetër.
Fjala është për linjën e transmisionit 400 kv mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ky projekt madhor, i cili po financohet nga qeveria gjermane, është ndër projektet me të mëdha energjetike që realizohet pas luftës.
Ndërkaq, me realizimin e tij pesëfishohet mundësia e këmbimit të energjisë elektrike mes këtyre dy vendeve.
Financuesi nga Gjermania do ta ndihmojë me 33.5 milionë euro, prej tyre 16.5 milionë euro janë grante, kurse 17 milionë të tjera kredi nga KfW Entwicklungsbank.
Të mërkurën, në Kastriot, u bë edhe përurimi i këtij projekti.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me ketë rast, tha se Kosova ka nevojë për investime në sektorin e energjisë, dhe se realizimin e këtij projekti e sheh si mundësi të mirë për ardhjen e investitorëve.
“Ky projekt do të ndikoj në rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike mes dy vendeve”, tha kryeministri Thaçi.
Sipas tij, se shpejti do të fillohet edhe me projektet e tjera energjetike, siç është ai për “Kosovën e Re”.
Edhe kreu i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, Fadil Ismajli, tha se me realizimin këtij projekti, do të krijohen kapacitete me të mëdha të shkëmbimi të energjisë elektrike mes Kosovës e Shqipërisë. Aktualisht Kosova dhe Shqipëria janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV, ku kapaciteti i transferit të interkoneksionit eshtë rreth 200 MW. Ndërsa, me vënien në operim të këtij projekti së bashku me linjën 400 kV Tirana –Podgoricë, kapacitetet transferuese do të ngriten në rreth 900 MW.
“Veç përfitimeve ekonomike, realizimi i projektit do të ndikojë tek investitorët”, ka thënë ai. Sipas Ismajlit, Komisionimi i linjës gjithashtu do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e të dyja sistemeve energjetike, por do të ketë efekt shumë të madh edhe në sistemin elektroenergjetik rajonal.
“Në ana tjetër, në aspektin ekonomik, kur e them se të dyja sistemet janë kompatibile, kjo do të thotë se përfitimet ekonomike nga optimizmi do të ndjehen në dy skajet e linjës, humbjet teknike do të zvogëlohen, që do të thotë se konsumatorët, ekonomitë, amvisëritë, gjithashtu do të përfitojnë nga ky projekt”, ka shtuar ai.
Ndërsa ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Gjermanisë, Dirk Niebel ka thëne se fillimi i këtij projekti i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe sektorit të energjisë. “Sektori i energjisë është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë dhe zhvillimit të saj. Në mënyrë që shtylla e sektorit të energjisë të mund të jetë e frytshme, ajo duhet të jetë stabile dhe e qëndrueshme”, ka thënë Niebel.
Por për ta arritur këtë, sipas tij, ka nevojë për një vendosmëri dhe vullnet për ndryshime dhe e gjithë kjo është ofruar në mënyrë që ky projekt të realizohet siç është linja e transmisionit në mes të Prishtinës dhe Tiranës.
Ndryshe, financimi i projektit në fjalë për pjesën e Kosovës do të jetë 33.5 milionë euro, ndërsa për pjesën e Shqipërisë 42 milionë euro. Gjatësia e linjës për Kosovë është 90 kilometra, derisa për Shqipëri do të jetë 151.5 kilometra.