E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzë për Francën

Ardi Vrenezi po dergjet në shtrat. Pesëmbëdhjetëvjeçari i paralizuar u dëbua nga policia, derisa po shërohej në një institut në Francë. Familja e tij është në pikë të hallit. Përveç që nuk iu ndihmon askush, ata janë në presion nga Ambasadori francez që mos të flasin për media. Asllan Vrenezi thotë se do të bëjë çmos të kthehet sërish atje, për të kërkuar ilaç për djalin. Nga Nexhmije Ahmeti më 05 maj 2011 në ora 08:00

Marali, Malishevë, 4 maj –
Në vend se të ndodhej në shkollën speciale, pjesë e së cilës ishte për dy vjet, Ardi Vrenezi (15) ka një vit që rri i shtrirë në dyshek.

Ky pesëmbëdhjetëvjeçar i paralizuar, pikërisht para një viti u nxor me dhunë nga spitali i qytetit Metz të Francës, për t’u dëbuar me avion drejt Kosovës. Ai dhe familja e tij tash ndodhen në fshatin Marali të Malishevës.

Edhe pas kthimit në Kosovë, peripecitë për familjen Vrenezi nuk kishin mbaruar. Nëpërmjet medieve franceze, Asllani ka kritikuar veprimin e policisë së qytetit Metzit, gjë që ka zemëruar ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou.

“Më ka ftuar në takim dhe më ka kërkuar që të mos flas me gazetarë”, tregon Vrenezi për Express. Asllani thotë se Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë presion edhe tek Handikosi në Malishevë, por edhe në Komunën e Malishevës. “Këtë e bëjnë vetëm që këto institucione të mos m’i lëshojnë dokumentet, të cilat sqarojnë se trajtimi i Ardit në shtëpi nuk është i lehtë”, tregon Asllani.

Pavarësisht këtij presioni, Asllani thotw se kishte këmbëngulur në të drejtat e tij dhe tashmë ka arritur që nga shteti francez, të sigurojë së paku ilaçet për të birin e sëmurë. Në fakt, terapia mujore me barna që duhet ta ndjek Ardi, babit të tij i kushton rreth 500 euro, kurse disa prej tyre nuk gjenden as në Kosovë, as në shtetet fqinje.

Të pashpresë dhe duke u munduar të shërojnë të birin, familja Vrenezi ka provuar edhe një herë që të niset drejt shtetit francez në mënyrë ilegale.

Megjithëkëtë, rruga e tyre përfundoi në Serbi, kur ata u zunë nga policia dhe u kthyen prapa. Pavarësisht kësaj, Asllan Vrenezi beson në mundësinë e fundit. Ai pret deri në qershor, nëse do të ketë diçka nga premtimi i mjekes së Ardit.

Kjo për faktin se mjekja Silvia Kefer, drejtoreshë e Institutit ku shërohej Ardi, i ka premtuar atij se çështjen e Ardit do ta ngrejë edhe në parlamentin e Francës, për ta anuluar vendimin e Entit të Azilit në Francë. Nëse kjo nuk ndodh, Asllan Vrenezi ka vendosur ta ndërrojë edhe shtetësinë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›