"Ujëra të pastra, 800 milionë euro investime"
Duke folur për cilësinë e ujërave në vendin tonë, të monitoruara përgjatë viteve 2005-2007, Taulant Bino, zëvendësministër i Mjedisit, u shpreh se "nga vendi ynë kërkohet, për të paktën 20 vitet e ardhshme, një investim kolosal, me një vlerë rreth 800 milionë euro në sistemin e grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza, për të arritur ato standarde që kemi parashikuar". Sipas tij, është një detyrë shumë e vështirë për Shqipërinë adaptimi në mënyrë sa më të shpejtë i standardeve të Komunitetit Evropian për cilësinë e ujërave, përmes strategjisë së posaçme për këtë qëllim. Gjatë konferencës së tetë vjetore, "Menaxhimi i ujërave të ndotura, detyrim social, mjedisor dhe ekonomik për Shqipërinë", numri dy i Mjedisit iu referua edhe rezultateve konkrete të monitorimit të cilësisë së ujërave tona. Nga monitorimi i ujërave bregdetare në 72 stacione, theksoi Bino, "rezulton që cilësia e ujërave në 61 stacione është në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe në përputhje me standardet tona të shkarkimit, por mbeten pjesë të caktuara në bregdetin shqiptar, që janë të rrezikuara nga ndotja". Sipas tij, të rrezikuara nga ndotja janë kryesisht zonat në afërsi të Durrësit, ku ajo e Golemit është më e ndotura. Lidhur me monitorimin e ujërave të lumenjve dhe liqeneve, Bino tha se përgjithësisht gjendja e tyre është në nivele të qëndrueshme mesatare. "Nëse do t‘i referoheshin monitorimit, kemi përgjithësisht një gjendje të mirë të liqeneve dhe lumenjve, kurse në pikat bregdetare kemi një gjendje jo të mirë, që do të thotë që gjendja e ujërave sipërfaqësore është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë", theksoi zv/ministri Bino, duke shtuar se "është pikërisht kjo gjendje për të cilën duhet të ndërhyjmë sa më parë". Ai garantoi se një ndërhyrje e tillë është e parashikuar tashmë në strategjinë ndërsektoriale të mjedisit, ku elementi ujë është i mbuluar.