E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Po luftojmë për pavarësi nga politika

Kryeprokurorja premton pavarësi të vendimmarrjes nga prokurori më i ulët

Sistemi i prokurorisë shqiptare ende ndikohet nga presionet politike gjatë vendimmarrjes për një dosje penale. Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi dje, gjatë fjalës përmbyllëse të binjakëzimit me prokurorinë spanjolle, se akuza po “lufton” me të gjitha mjetet për pavarësi nga palët e treta dhe nga politika, e cila ka sjellë dështimin e disa dosjeve penale. Rama tha se ka një kontratë me shtetin shqiptar për mbarëvajtjen e mirë të akuzës të cilën do ta përfundojë. “Jemi përpjekur të forcojmë pavarësinë e sistemit të prokurorisë në dy momente: forcimin e pavarësisë së prokurorisë nga palët e treta, nga politika, pra nga palët jo legjitime dhe po forcojmë pavarësinë e vendimmarrjes së prokurorit të shkallës së parë”, theksoi kryeprokurorja, duke shtuar se i është kërkuar të gjitha punonjësve të akuzës të mbështeten në ligj dhe Kushtetutë.

Kontrata

Kryeprokurorja tha dje se pavarësia e sistemit të akuzës është kontrata e saj me shtetin shqiptar, të cilin do e çojë deri në fund. Më tej shtoi se asnjë presion apo ndërhyrje nuk mund të justifikohet, duke saktësuar se disa kohë më parë ka urdhëruar të gjithë prokurorët e shkallës së parë të “spiunojnë” drejtuesit gjatë përplasjeve për një vendimmarrje. “Secili prokuror është i lirë të marrë vendime dhe nëse këto vendime kundërshtohen nga eprorët, atëherë ky prokuror duhet të njoftojë zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm me një relacion për këtë vendimmarrje. Më pas, është akuza qendrore, e cila vendos për këtë çështje”, tha Ina Rama, duke shtuar se kjo ndihmon për të individualizuar përgjegjësitë.

Duke iu kthyer tematikës së bisedës për binjakëzimin e prokurorive të Shqipërisë, Italisë dhe Spanjës, kryeprokurorja Rama deklaroi se ndihma është e çmuar e kombinuar me angazhimin maksimal të strukturave tona përgjegjëse. “Ajo që unë do të vlerësoja më tepër është krijimi i premisave të duhura për ta shndërruar përfundimisht prokurorinë në një institucion me rregulla të qarta të funksionimit të brendshëm, ku do të krijohet balanca e duhur mes nevojës vitale për rritjen e nivelit të organizimit, koordinimit e kontrollit nga njëra anë dhe demokratizimit të brendshëm përmes transparencës dhe krijimit të mekanizmave për përçimin e problematikës dhe nevojave të prokurorëve nga baza drejt qendrës nga ana tjetër”, vijoi Rama.

Vlerësimi i prokurorëve

Si pasojë e ndihmës italiane e spanjolle këshilli i prokurorisë ka miratuar projektrregulloren për kryerjen e inspektimit dhe fillimin e procedimit disiplinor, projekturdhrin për organizimin e mbledhjes së prokurorëve, si dhe projekturdhrin mbi procesin e trajnimit të prokurorëve. Ndërkohë që është pothuaj gati drafti i rregullores së brendshme të organizimit dhe funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme. “Një tjetër komponent që dua ta vë në dukje për rëndësinë themelore që paraqet është ai mbi vlerësimin e prokurorëve. Për herë të parë, ne do të kemi një draft për vlerësimin e prokurorëve, i cili shumë shpejt do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë e të rëndësishëm në të cilin do të thithet mendimi i të gjithë trupës së prokurorëve, duke synuar kështu krijimin e një sistemi vlerësimi sa me realist për shkak edhe të kompleksitetit që ai paraqet”, tha Rama.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve një nga shtysat e projektit ka qenë edhe hedhja e hapave të parë për miratimin e një memorandumi të bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që do të synojë harmonizimin e punës së dy inspektorateve. Tashmë është në formim e sipër grupi i punës në Prokurorinë e Përgjithshme që do të nisë të negociojë detajet e këtij memorandumi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›