Projekti për mbetjet, zbatimi nis më 2012
Plani rajonal i menaxhimit të mbetjeve për Tiranën, që pritet të vihet në zbatim, përgjatë vitit 2012 do t’i japë një zgjidhje problemit të plehrave për kryeqytetin, që renditet edhe në krye të listës si qyteti që prodhon më shumë mbetje urbane. Specialistët e Ministrisë së Mjedisit thonë se fillimisht do të fillojë zbatimi i sistemit me tre kosha, ndërkohë që do të përdoren teknologji për t’i kthyer mbetjet në energji. “Është vendosja e sistemit me tre kosha, në kosha me mbetje organike, me ngjyra të ndryshme, me mbetje inorganike, që janë mbetjet e riciklueshme dhe mbetjet e tjera bashkiake. Mbetjet që janë të riciklueshme do të shpërndahen në industritë e riciklimit që janë këtu. Pjesa e mbetjeve organike, ideja është për t’u kompostuar me prodhim energjie”, - pohon Laureta Dibra, specialiste në Ministrinë e Mjedisit. Plani i menaxhimit të mbetjeve ka përcaktuar tashmë edhe vendgrumbullimet e reja, një nga të cilët do të jetë fabrika e çimentos në Fushë-Krujë. “Një alternativë tjetër është paraparë që fabrika e çimentos që është në Fushë- Krujë, e cila prodhon çimento titan, të mund që nëpërmjet një investimi që ajo do të bëjë në teknologjinë e saj, t’i paraprijë edhe mundësisë së trajtimit të mbetjeve dhe në njërën anë prodhohet çimento duke shfrytëzuar nxehtësinë, por prodhohet dhe energji”, - shpjegon Dibra. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në vendin tonë, menaxhimi i mbetjeve urbane do të jetë prioritet i specialistëve të mjedisit, përgjatë këtij viti në të gjithë vendin. Brenda këtij viti, 12 qarqet e vendit duhet të prezantojnë projektet e tyre, të cilat më pas do të ngrihen për diskutim mes specialistëve.