E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Rritje pagash për mësuesit dhe pedagogët



Rritje të re pagash për të gjithë mësuesit dhe pedagogët premtoi dje gjatë një konference në Durrës, ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj. Ministri Tafaj nuk bëri të ditur masën e rritjes së pagës së arsimtarëve, por burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se pagat do të rriten nga 5 deri në 10 për qind në këta dy sektorë, por ende nuk ekziston një vendim i saktë për këtë rritje që do të nisë prej fillimit të vitit. Ndërkohë, një rritje e dytë pritet me buxhetin plotësues i cili pritet të miratohet në qershor.

“Objektivi kryesor i këtij mandati është rritja e buxhetit, veçanërisht për pagat e mësuesve dhe pedagogëve si dhe për investimet në infrastrukturë”, - tha ministri Tafaj, gjatë konferencës në kuadër të programit “Cilësi dhe barazi në arsim”.

Ai u ndal gjithashtu në reformat që po ndërmerren në arsimin parauniversitar, duke theksuar se ky nivel arsimimi do të arrijë objektivin e braktisjes 0% të arsimit të detyruar, çdo fëmijë 5-vjeçar në kopsht, thellim të reformave kurrikulare, një hop cilësor për zhvillimin e arsimit profesional, shtrirje të teknologjisë së informacionit në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Tafaj shtoi se decentralizimi i sistemit arsimor do të arrihet në bashkëpunim me pushtetin lokal, komunitetin dhe biznesin. “Bursat dhe grantet për studentët nëpërmjet Fondit të Ekselencës do të shoqërojnë më tej katër vitet e ardhshme të qeverisë “Berisha 2”, - tha Tafaj, duke theksuar synimin që në fund të këtij mandati katërvjeçar Shqipëria të ketë 150 mijë studentë.

“Në mandatin e dytë, kryefjala e programit tonë në këtë sektor është cilësia e studimeve, cilësia e diplomave. Së shpejti, një kompani e huaj fillon punën për të zhvilluar standardet, mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre”, - ka vijuar Tafaj.

Duke u ndalur edhe në arsimin e lartë privat, ministri Tafaj theksoi se do të ndiqet një politikë nxitëse dhe inkurajuese për zhvillimin e shpejtë të arsimit të lartë privat cilësor.

Ministri Myqerem Tafaj falënderoi veçanërisht mbështetjen e programeve të arsimit nga bankat financuese BB, BEI dhe BKEZH, përfaqësuesit e të cilave ndoqën nga afër konferencën e 7-të për rishikimin 6-mujor të realizimit të Programit Vjetor të Reformës Arsimore, projekti “Cilësi dhe barazi në arsim”.

Konferenca i vazhdoi punimet në tri panele të veçanta, të drejtuara nga zëvendësministrat e Arsimit dhe Shkencës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›