Letrat me vlerë, ulen menjëherë interesat e bonove të Thesarit
Ashtu sikurse pritej nga të gjithë vëzhguesit dhe subjektet e fushës së financave, në ankandin e djeshëm, të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë për llogari të Ministrisë së Financave, janë ulur interesat e bonove të Thesarit të Shtetit. Shkak për këtë ka shërbyer ulja e normës së interesit bazë nga ana e Bankës së Shqipërisë javën e kaluar, në masën 0.5 për qind, nga 5.7, në 5.25%. Kjo ka ndikuar për lehtësimin e bankave të nivelit të dytë nga një kosto tepër e lartë detyrimi ndaj BSH. Këto të fundit e ndjejnë veten më të sigurta për të përdorur një sasi më të madhe lekësh në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, çka rrit ofertën dhe ul interesin. Bonot me afat 12-mujor maturimi janë shitur dje me një interes mesatar 9.31 për qind, nga 9.43 për qind, që ishin në ankandin e fundit, të zhvilluar në tetor. Po kështu, ka pasur një ulje të lehtë edhe për bonot tremujore, interesi i të cilave ka kaluar nga 6.36 në 6.32 për qind.