Tafaj: Sistemi sështë i imunizuar, do hetohen pedagogët e Kristalit
Jo të gjithë universitetet private duhet të cenohen nga skandali i diplomave të Universitetit Kristal. Kështu është shprehur ministri i Arsimit Myqerem Tafaj dje në Komisionin e Edukimit dhe Medias, ndërsa ka shtuar më tej se sistemi ynë arsimor nuk është i imunizuar, dhe se fenomene të tilla të shitjes së diplomave kanë ndodhur edhe në vende të tjera të botës. Sistemi ynë arsimor nuk është i imunizuar. Ajo që ne kemi në dorë është dixhitalizimi i plotë i tij, fuqizimi i strukturave mbikëqyrëse deri në auditorë dhe fuqizimi i Agjencisë së Akreditimit. Ne kemi të dhënat për studentët e huaj, që institucionet e arsimit të lartë e kanë detyrim që për çdo student dhe për çdo mësimdhënës, për çdo pedagog që ftojnë nga jashtë duhet të informojnë dhe duhet të marrin leje qëndrimi në rastin e studentëve në strukturat përkatëse të Ministrisë së Brendshme, tha ministri Tafaj.
Hetim mbi stafin
Ministri Tafaj vijoi më tej duke thënë se Universiteti Kristal është ende në hetim dhe nga kontrolli i ushtruar më parë nga ekspertët e arsimit mbi të, nuk ka pasur asnjëherë vlerësim maksimal. Nga kontrollet dhe monitorimet tona, Kristali nuk është vlerësuar asnjëherë maksimalisht, por është vlerësuar për rekrutimin e stafit pedagogjik dhe investimet në infrastrukturë. A ka implikime të stafit pedagogjik në rastin e Kristalit? Sigurisht kjo është një çështje që po hetohet edhe nga strukturat e tjera, stafi pedagogjik, pedagogët janë njerëzit që zhvillojnë leksionet, seminaret, provimet dhe evidentojnë dhe vlerësojnë studentët, tha më tej ministri.
Frenimi i licencave
Një tjetër çështje që ka shkaktuar debate në seancën e djeshme të Komisionit të Edukimit dhe Medias ka qenë edhe vendosja e kufijve sa i përket dhënies së licencave për universitetet private. Një problem që fillon që me licencime, që për hir të së vërtetës ka pasur licencime klienteliste dhe licencime që nuk kanë plotësuar standardet. Në qofte së nuk plotësohen kriteret, le të ndalohen licencat. Këtu është bërë kontroll, por nuk janë identifikuar edhe rastet e diplomave false. Çështja e akreditimit mbetet një problem, po ashtu edhe monitorimi i punës së pedagogëve, të cilët janë të punësuar në 6 apo 7 universitete, duke abuzuar me orët e leksioneve, pasi nuk u del koha të japin mësim tek të gjithë. Kjo gjë duhet parë nga Ministria e Arsimit, pasi ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies, tha kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Më tej kryetarja Leskaj ka vënë në dukje se vetëm në vitin 2010 janë dhënë 12 licenca për arsimin e lartë, dhe shume universitete shpërndajnë diploma dhe bëjnë reklama si universitet edhe pse nuk e kanë këtë status. Edhe pse MASH ka pezulluar përkohësisht licencën e Kristalit, unë kam parë që ky universitet nuk e ka hequr nga media reklamën e regjistrimeve të reja për studentët. Çdo të thotë kjo, që sdo zbatohet vendimi i MASH. Shoh probleme me marketingun e universiteteve. Ka universitete që bëjnë reklama të tipit eja regjistrohuni tek ne sepse do ju japim dhuratë një celular apo një lap-top, tha më tej Leskaj.
Akreditimi
Pas fjalës se ministrit të Arsimit, deputetet e opozitës kanë bërë një sërë pyetjesh, lidhur me akreditimin e universiteteve, skandalin e Universitetit Kristal, por edhe gjendjen e universiteteve të tjera private. Ministri i Arsimit tha se ne vend ka vetëm tre shkolla të larta private që kanë fituar statusin universitet, ndërsa 44 të tjerët janë vetëm institucione të arsimit të lartë. Megjithatë këtu nuk duhet të keqkuptoheni. Kur thuhet gëzojnë statusin universitet, do të thotë që vetëm 3 universitete private, lëshojnë diploma të të tre cikleve të studimit, Bachelor, Master dhe Doktoraturë, ndërsa universitetet e tjera kanë të drejtë vetëm të ofrimit të dy programeve të para të studimit, pro kjo sdo të thotë që diplomat e tyre nuk vlejnë, sqaroi ministri Tafaj, ndërsa vijoi duke thënë se në Shqipëri vetë Agjencia e Akreditimit, duhet të akreditohet nga një institucion ndërkombëtar. Në përbërjen e kësaj agjencie, sipas ministrit Tafaj, ka edhe ekspertë të huaj të cilët pas disa muajsh duhet të japin një raport për akreditimin e saj.
Marku dhe Gjonaj: Ky nuk është i vetmi skandal.
Një deputet i PS me diplomë të falsifikuar
Ndërkohë deputetë të maxhorancës janë shprehur të mendimit se rasti i Kristalit nuk përfaqëson gjithë sistemin arsimor privat në Shqipëri. Kjo do të thotë se pavarësisht Kristalit në vendin tonë ka edhe universitete private shumë cilësore që nuk ka pse të hidhen poshtë, apo të cenohen për faj të një rasti. Nuk duhet të disinformojmë opinionin publik se gjithë sistemi ynë arsimor privat është jo cilësor. Rasti i Kristalit është unik, nuk i përgjithëson universitetet jo publike. Të gjithë kemi konstatuar në raste të diplomave false edhe vite më parë, madje ka pasur edhe një rast të një deputeti të PS-së që kishte një diplomë të falsifikuar, thanë Mark Marku dhe Adriana Gjonaj, nga palët e maxhorancës.