Falsifikonin dokumentat e kolaudimit të makinave, pranga 13 kontrollorëve
Një operacion policor i organizuar nga Task Forca pranë prokurorisë së Durrësit ka çuar në ndalimin e 13 shtetasve, dhe arrestimin e tyre të gjithë punonjës të Kontrollit Teknik të Automjeteve. Akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e korrupsionit pasiv në sektorin privat. Inspektorët e kompanisë konçesionare SGS Automotive Albania janë prangosur nga forcat e RENEA-s dhe ato të policisë së Durrësit, mbi bazën e provave të siguruara nga një hetim disamujor. Pavarësisht arrestimit të 4 punonjësve të tjerë të Qendrës së Kontrollit Teknik në Durrës në janar të vitit 2010, aktet korruptive në këtë qendër nuk kanë reshtur. Kushdo në Durrës e di se që të kryesh kolaudimin vjetor të automjetit pa probleme, pavarësisht gjendjes reale të mjetit, duhet të vendosë gjobën brenda në kroskotin e makinës, në të kundërt nuk e kalon testimin.
Hetimet
Gjatë hetimeve ka rezultuar se të ndaluarit u kanë marrë në mënyrë të paligjshme para qytetarëve për kontrollin teknik të automjeteve gjatë punës në Sektorin te Kolaudimeve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor të Durrësit. Sipas informacioneve nga policia e Durrësit task forcë pranë prokurorisë së Durrësit, e cila kishte sinjale në rrugë operative që punonjësit e kompanisë private ishin të implikuar në akte korruptive lidhur me kontrollin teknik të automjeteve, ku këta të fundit lëshonin certifikatat e gjendjes së kontrollit fizik të automjeteve ka bërë edhe aksionin e radhës ku ka arrestuarit 13 inspektorët e kësaj kompanie.
Arrestimet
Mes personave të cilët janë shoqëruar për në komisariatin e policisë së Durrësit nga ana e forcave speciale janë dhe drejtues të Qendrës së Kontrollit Teknik në Shkozet. Sipas burimeve konfidenciale në vendngjarje mësohet se personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar për dhjetëra raste në dhënien e dokumentacioneve jo të sakta përsa i përket kontrollit teknik të automjeteve ku mendohet të kenë marrë ryshfet miliona lekë për të kaluar si të rregullta dhjetëra automjete. Procedurat për dhënien e këtij dokumentacioni kryheshin pikërisht nga kompania private. Nga ana e policisë pritet që në orët në vijim të jepet një deklaratë, mbi personat e ndaluar, por edhe mbi akuzat që rëndojnë mbi to.