Hygo, republikani dhe dashnori i madh
Në fillim ishte Të mjerët, (Les Misérables), pastaj Shën Mëria e Parisit, (Notre Dame de Paris), më vonë ne lexuam Viti 93 dhe Njeriu që qesh, e kështu me radhë. Në botën tonë të adoleshencës, personazhet e shkrimtarit Viktor Hygo, (Victor Hugo), shtoheshin pareshtur dhe ngjizeshin në imagjinatën tonë për të mbetur të pashlyera. Mbaj mend gjithnjë kur në kinemanë verore 17 nëntori, shikonim filmin Të mjerët dhe zbulonim portretet e Zhan Valzhanit, Kozetës, Fantinës, Mariusit, imazhet e Revolucionit francez dhe të kopshteve të Luksemburgut, katakombet e Parisit dhe më pas, Kuazimodon dhe Esmeraldën në sheshin e Notre Dame de Paris. Nga dritarja e shtëpisë ngjitur kinemasë, për ditë me rradhë, në orët e vona të mbrëmjes, vazhdoja të dëgjoja të njëjtat dialogje të atij filmi dhe unë imagjinoja të njëjtat skena që kisha parë disa ditë më parë, edhe pse dialogjet nuk i kuptoja. Këmbanat e katedrales mitike vazhdonin të ushtonin
Kur erdha në Paris, pas godinës së ambasadës, zgjatej avenyja Victor Hugo dhe në hyrjen e një ndërtese, një pllakë e vendosur tregonte se pikërisht atje kishte jetuar Viktor Hygo. Aty dhe kishte vdekur. Madje dhe ambasadori i mëparshëm shqiptar, Misto Treska, i cili kishte punuar dy hapa larg asaj banese dhe e kishte shqipëruar atë shkrimtar, duke filluar me kryeveprën e tij, Të mjerët. Ai ecte kështu në gjurmët e Sami Frashëri, përkthyesit e parë të Hygosë. Kështu niste për mua ky itinerar i jetës së Hygoit, i cili do të më çonte në disa nga vendet mitike të këtij shkrimtari të madh, në shtëpitë ku ai kishte jetuar, në Place Royale apo Place de Vosges, (ku sot është dhe Shtëpia Muze), apo në rrugët ku ai kishte përjetuar revolucionet dhe dashuritë e tij të panumërta: Rue Vaugirard, Rue Clichy, Rue de Paradis, Rue de Dragon e gjer nën kupolën e Panteonit. Gjurmët e tij ishin ngado në Paris, pasi jeta e tij, që nga lindja në Rue Feuillantines e gjer në vdekje, kishte kapur pothuaj ngjarjet më të mëdha të atij shekulli. Një shekull tronditës brenda një njeriu.
Të shumtë janë ata që njohin veprën e tij, të paktë janë ata që njohin itinerarin e jetës së tij. Cili ishte ky njeri dhe çshpirt kishte ai? Çfarë i dha ai Francës dhe botës? Cili është mesazhi i tij për kohën tonë dhe shekujt që vijnë?
I ati i Viktor Hygosë kishte qenë një gjeneral i Bonapartit dhe deri në rininë e tij, Hygo ishte një monarkist. Ai kishte një adhurim për Napoleonin, i cili padyshim hodhi bazat e shtetit modern francez. Një ditë para se të vinte hiri i Napoleonit nga ishulli i Shën Helenës në Francë, ai shkroi poezinë Kthimi i Perandorit. Të nesërmen, në 15 dhjetor 1840, Parisi pothuaj ishte boshatisur. Perandori e kishte lënë me testament që trupin e tij ta varrosnin buzë Senës. Dhe në atë ditë të ftohtë, atë e sollën drejt kishës në Hotelin e Invalidëve. Topi qëllon njëherësh në tre drejtime të ndryshme të horizontit, – shkruante Hygo për atë ditë historike, – Karroja që tërheq arkivolin e tij më së fundi shfaqet. Dielli, i cili deri atëherë ishte fshehur, tashmë u shfaq edhe ai. Nga larg, në sfondin gri dhe të kuq të pemëve të Champs Elysées, përmes statujave të mëdha e të bardha që u ngjajnë fantomave, pikaset lëvizja e ngadaltë e një mali të florinjtë. Janë shkëlqime të shndritshme që duken mbi gjithë sipërfaqen e karros, herë si yje e herë si vetëtima. Një zhaurimë e mbështjell gjithë këtë spektakël. Dukej sikur ajo karro tërhiqte pas vetes brohoritjen e një qyteti
Gjashtëmbëdhjetë kuaj tërhiqnin atë arkivol, të kryesuar nga një kalë i vetmuar e i bardhë, që ishte si vetë kali i betejës së Napoleonit. Strategun e madh e të lavdishëm të Francës, po e çonin drejt banesës së tij të fundit.
Poema e tij Kthimi i Perandorit, pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe njerëzit e kërkonin ngado nëpër librari. Jo shumë vonë pas kësaj ngjarje, pena e Hygosë do të bëhej e njohur. Ai botoi fillimisht poezi, novela e romane, pjesë teatrale, si Hernani, që u kthye në një ngjarje tronditëse për teatrin francez, e po kështu Këngët e muzgut, Dita e fundit e një të dënuari, Marion Delorme etj. A nuk kishte thënë ai që adoleshent se do të bëhej një shkrimtar i madh? Ose do të bëhem si Shatobriani, ose hiç? – shkruante ai në ditarin e tij. Më vonë Hygo do të shpallej anëtar i Chambre de Pairs, ku ishin fisnikët e mëdhenj dhe autoriteti moral i monarkisë, edhe pse ai vetë atë kohë po bëhej tashmë republikan. Por ngjarja më e madhe për të ishte kur do të pranohej në Akademinë Franceze, në Quai Conti, edhe pse katër herë me radhë ai kishte tentuar, por nuk kishte mundur dot të hynte në të. Historianë të vegjël dhe shkrimtarë që sdo tu dëgjohej më emri, zinin vendin e tij. Por kur ai u pranua, Shatobriani (Chateaubriand), i shkroi: Ju nuk i detyroheni askujt për këtë nder. Është vetë talenti juaj dhe jeni ju vetë, ai që e keni vendosur kurorën mbi kokën tuaj. Në fjalën e tij në Akademi, ku kishin ardhur ta dëgjonin princat e Orleanëve, zonja Thiers dhe ajka e Parisit, veç Adelës dhe diku më tutje të dashurës së tij Zhylietë, (Juliette Drouet), Hygo do të pikaste dhe kolegun e tij të madh, Honoré de Balzac.
Pikërisht në këto vite Hygo do të përjetonte dhe ngjarjet e Revolucionit grek. Bëmat e suljotëve trima si Marko Boçari, Xhavella, Kanaris etj., e frymëzuan për poemat e tij të botuara në vëllimin poetik Orientales:
Beteja vendin kish pushtuar dhe zërat thërrisnin:
Mbrohu nga kjo hordhi e poshtër!
O hije e Boçarit! Grekërit e tu janë të pafat!…
Zhylieta
Në jetën e Hygosë, letërsia, politika dhe dashuria ngërthejnë thelbin e ekzistencës dhe të vlerës së tij. Dhe dashuria nuk zë vend të pakët, se në rrugët e Parisit, Hygoja ka bredhur si një nga dashnorët më të mëdhenj të atij shekulli. Dashuria e Hygosë për Zhyliet Drue, ishte një nga himnet më të bukura të dashurisë, e kthyer tashmë në një legjendë. Një lidhje 50 vjeçare, plot ekstazë, ngjarje, drama, dëshpërime e mërgime dhe më së fundi një jetë të përbashkët, atëherë kur gruaja e shkrimtarit, Adele Faucher, (Hygo), nuk ishte më. Madje vitet e fundit, Adela e kishte pranuar atë si pjesëtare të familjes dhe e kishte marrë pranë tyre. Ajo ishte e pranishme ngado. Dashuria kishte fituar mbi xhelozinë dhe mërinë e hershme.
Zhylieta kishte qenë aktore dhe luante në teatrot pariziane, në Odeon apo në teatrin e Porte de Saint-Martin, kur ajo ishte njohur me Hygonë. Kjo kishte ndodhur gjatë leximit të një pjese teatrale, Lucrecia Borgia, e cila do të vihej në skenë. Me 16 shkurt të vitit 1833, ai ngjiti shkallët e dhomës së saj dhe e mbuloi me të puthura. Të dashurosh është më shumë sesa të jetosh, - shkruante ai.
Si të gjitha gratë e dashuruara, edhe ajo mendonte se ai do ta linte Adelën dhe do të martohej me të, por kjo sdo të ndodhte. Jeta tragjike e fëmijëve të tij do ta mbante Hygonë të lidhur gjithnjë pranë familjes, edhe pse ai si natyrë ishte një i dashnor i madh. Kur shkroi dramën mjaft të njohur Hernani, Hygo kërkoi që roli kryesor ti jepej Zhyljetës dhe se në të kundërtën ai do e tërhiqte pjesën, por gazetat do ta kritikonin rolin e saj në skenë. Ajo që e largoi atë nga ai rol ishte në fa