E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj: Tirana beson ende te titulli, kampionati i gjatë

Tirana nuk i ka humbur shpresat për titullin kampion. Bardheblutë këmbëngulin se humbja në derbi me Dinamon dhe diferenca prej 11 pikësh nga kreu i renditjes, që mbahet nga blutë, nuk nënkupton ndryshimin e objektivave sezonalë të 24 herë kampionëve të Shqipërisë. Një gjë të tillë e konfirmon vetë trajneri i bardhebluve, Alban Tafaji, i cili beson ende se Tirana i ka mundësitë për ta mbrojtur edhe në këtë sezon trofeun e fituar në 2008-2009, edhe pse tashmë situata është e komplikuar. "Kampionati është ende i gjatë dhe gara do të vazhdojë të mbetet e hapur deri në momentin kur do të jetë e pamundur edhe llogaria matematike, ka nënvizuar tekniku bardheblu, i fundit, që ka fituar trofeun më prestigjioz të futbollist shqiptar në krye të bardhebluve. Tani është herët të flasim për tërheqje nga objektivat tanë. Ne do të japim maksimumin tonë deri në fund, për të rikuperuar diferencën e madhe të pikëve me rivalët tanë. Duhet të mos nënvlerësojmë asnjë ndeshje dhe të shpresojmë në hapat fals të kundërshtarëve tanë". Në këto ndeshje që ai e ka drejtuar këtë skuadër, ka parë shumë gjëra pozitive. "Ekipi ka treguar karakter. Një gjë e tillë u pa mirë në derbin me Dinamon, ku të them të drejtën për lojën që treguam, edhe pse ishim me një lojtar më pak, nuk meritonim të humbnim. Megjithatë forma e mirë fizike e lojtarëve titullarë dhe morali i lartë më japin besim se në ndeshjet e ardhshme do të shikohet Tirana e vërtetë". Ndërkohë që pjesa tjetër e bisedës i përket humbjes së papritur të kryeqytetasve në ndeshjen e parë të turit I të Kupës së Shqipërisë në fushën e Luzit të Kavajës, me rezultatin 3-1. Ky rezultat ka qenë i papritur edhe për numrin një të stolit të bardhebluve. "Nuk e kam pritur e madje as parashikuar se do të humbnim përballë një skuadre thuajse të panjohur për ne, pranon Tafaji. Menduam të përdornim një formacion të kombinuar, duke aktivizuar edhe disa të rinj. Por skuadra nuk iu përgjigj asaj që kërkova. Sigurisht që nuk na shqetëson vetëm fakti se humbëm, por ajo që Tirana nuk bëri aspak lojën e saj të zakonshme. Nuk është rezultati që frikëson për të vënë në diskutim kualifikimin që pas dy javësh them se do të na përkasë ne", përfundoi Tafaji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›