Tahiri: Atmosfera konstruktive, por pa rezultate
Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, zëvendës kryeministrja Edita Tahiri, ka deklaruar sot se edhe raundi i dytë i takimit në Bruksel, ka kaluar në një atmosferë konstruktive.
Ajo ka thënë se këto bisedime midis dy shteteve të pavarura kanë si qëllim disa objektiva, sidomos lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të të dyja vendeve, si dhe afrimin e tyre drejtë integrimit në Bashkimin Evropian.
Në fokus të dialogut të sotëm ishin çështja e telekomunikacionit, energjisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve. Të dyja palët kanë propozuar zgjidhje për problemet rreth këtyre çështjeve, por ende nuk janë arritur rezultate konkrete të pranueshme për të dyja delegacionet.
Në takimin e zhvilluar sot në Bruksel, për pak kohë ishte e pranishme edhe baronesha Catherine Ashton, për t`i dhënë mbështetje dialogut. Tahiri tha se Ashton e ka siguruar se ardhmëria e Kosovës është në Bashkimin Evropian, dhe ka premtuar se së shpejti do ta vizitojë Prishtinën.