Tahiri: Bisedimet me Beogradin, në nëntor

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërprera njëanshëm nga Serbia mund të rinisin në fillim të nëntorit. Bisedimet teknike do të përqendrohen tek energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal për Kosovën.
Kryenegociatoja Edita Tahiri është optimiste për ecurinë, duke u bazuar në Raportin e Progresit për Kosovën dhe Serbinë, ku me theks të veçantë iu kërkohet të dy shteteve që të vazhdojnë bisedimet.
Serbia në këtë aspekt ka marrë vërejtje më serioze nga Komisioni Evropian që të vazhdojë negociatat me Kosovën, si kusht themelor për integrim në BE.
“Në fillim të muajit nëntor, pritet të vazhdoje raundi i ardhshëm i bisedimeve. BE tashmë është duke i bërë presion të madh Serbisë për këtë. Beogradi zyrtar gjendet para një presioni të madh diplomatik që të vazhdojë dialogun pa kushte. Ajo është para një udhëkryqi për t’u përcaktuar se a dëshiron të përparojë për në BE apo jo. E për mendimin tim dhe në bazë të deklaratave zyrtare të palës serbe, shihet qartë se ata e dëshirojnë rrugën e BE-së”, tha Tahiri, bën të ditur Telegraf.
Ajo shprehet e sigurt që jo vetëm që do të ketë dialog teknik, por do të ketë edhe respektim të plotë të marrëveshjeve të arritura dhe atyre që do të arrihen.
Ajo tha se tashmë pala kosovare në takimin me ndërmjetësuesin e BE-së, Robert Cooper, e ka dhënë datën 20 nëntor si datë të fundit për zbatimin e marrëveshjeve të para që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë.
Tahiri ka shtuar se Prishtina zyrtare pret që diplomacia evropiane të bindë palën serbe se në dialog nuk do të ketë asnjëherë tema të karakterit politik.
Raundi i dialogut i parashikuar për më 27 dhe 28 shtator dështoi për shkak të insistimit të Serbisë për të diskutuar për situatën në veri të Kosovës.
Ndërmjetësi i BE, Robert Cooper në Beograd, në vizitën e fundit në Beograd nuk arriti të bindte palën serbe që të rifillonte bisedimet.