“Gërdeci”, nesër pretenca për 29 të pandehurit

Është ndërprerë seanca gjyqësore për “Gërdecin” ku sot pritej të jepej pretenca për 29 të pandehurit e tragjedisë. Prokuroria lexoi 136 faqe nga 500 faqe pretencë për “Gërdecin” ndërkohë që seance gjyqësore do të vijojë nesër në orën 11:00.
Në seancën e kaluar prokurori i çështjes Genci Qano kërkoi dy javë kohë për të dhënë konkluzionet dhe dënimet për të pandehurit.
Prokurori e argumentoi kërkesën e tij me faktin se çështja është tepër voluminoze dhe po i tillë është dhe numri i të pandehurve të kësaj çështje. Prokurori pritet të lexojë sot 500 faqe të pretencës për 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit.
Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, më 15 mars 2008, i mori jetën 26 personave, 300 të tjerë u plagosen, si dhe u shkatërruan mijëra banesa.
Edhe pse shpërthimi ishte me përmasa tragjike, asnjë nga të pandehurit nuk gjendet pas hekurave, por të akuzuarit po gjykohen në arrest shtëpie.
Të akuzuar në këtë proces janë dhe ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë por që edhe këta persona hetohen në gjëndje të lirë.