E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Bllokimi i disa linjave, dëshmi e monopolit në transportin ajror

(I përditësuar ) – Seanca e sotme ka nisur me debate në Kuvend. Diskutimi për ndryshimet në Kodin Ajror është përqendruar në monopolet në sektorin e transportit ajror.  Deputeti socialist Saimir Tahiri, i ka kërkuar shpjegime ministrit të Transportit, Sokol Olldashi. Duke iu referuar kompanive që iu ndalua fluturimi, Tahiri u shpreh se ky bllokim është dëshmia më e qartë se transporti ajror është kapur nga monopoli.

Si shpjegohet që disa linja aviacioni nisin të operojnë në treg dhe pastaj nxirren me dhunë nga tregu. Përmend këtu Albatross, të cilën drejtori i atëhershëm i Aviacionit Civil e nxori me përdhunë nga tregu. U fut Bell Air, e dimë tashmë që për të ka preferenca politike. Kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Të kërkoj z Olldashi të mos bësh gabimet e ministrit të atëhershëm që sot e kemi kryetar Bashkie të Tiranës. Kjo duhet ndrequr një orë e më parë, ju duhet ta sistemoni, tha Tahiri.

Ndërsa sipas Olldashit, ndërhyrja tek avionët civilë pak ditë më parë është bërë për çështje sigurie. Në rastin e fundit, autoriteti i aviacionit civil ka ndërhyrë drejtpërdrejt në regjistrin e avionëve shqiptarë. Ata ishin 4. 1 i Bell Air dhe 3 Albania Airlines dhe kjo sepse ndërhyrja ishte për sigurinë e pasagjerëve, tha Olldashi.

Më tej, Shalsi theksoi se stafi i Autoritetit të Aviacionit Civil përbëhet nga militantë që nuk kanë njohuri për fushën. Drejtor një mjek me diplomë, një drejtor tjetër nuk flet anglisht, gjysma e stafit të aviacionit civil nuk ka autoritet të kryejë detyrën atje. Licensa e një operatori në Shqipëri u pezullua, por jo nga drejtori, nga një person që nuk e dimë kush është.

* * *

Në seancën e sotme, Kuvendi  pritet që të miratojë 2 projekt-ligje. Pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Ajror në Komisionin e veprimtarive prodhuese, pritet që ky Kod të kalojë sot edhe në seancën plenare të Kuvendit.

Ndërkohë që sot pritet që opozita të votojë pro këtij kodi, i cili u miratua në komisionin me konsensus nga të dyja palët. Në rendin e ditës, Kuvendi do të diskutojë edhe projektligjet Për sektorin e energjisë elektrike; Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike.

Projektligji për disa ndryshime në Për sektorin e Energjisë Elektrike, të ndryshuar pritet të shoqërohet me debate në sallën e Kuvendit, pasi deputetët e majtë kanë kërkuar që në lidhje me ndryshimet në ligj të dëgjohen edhe grupet e interesit, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga mazhoranca.

Në seancën e sotme janë thirrur në interpelanc ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto nga deputetja socialiste Arta Dade dhe ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i cili është thirrur në interpelancë nga deputeti i PS-së, Eduart Shalsi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›