Tahiri: Doganat, kapitull i mbyllur
Prishtinë, 17 shtator 2011, NOA Udhëheqësja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri i ka bërë të qartë homologut të saj serb nga procesi i dialogut Borisllav Stefanoviç, se Kosova asnjëherë nuk do të bisedojë për çështjen e pikave doganore në veri dhe se kjo çështje është kapitull i mbyllur një herë e përgjithmonë.
Në një prononcim përmes telefonit për Kosovapress zonja Tahiri tha se rrethi i ardhshëm i dialogut me palën serbe në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, do të mbahet më 27-28 shtator dhe aty do të diskutohet për tema që kanë mbetur pa përfunduar nga takimet e kaluara si telekomunikacioni e energjia.
Në bazë të propozimit të ndërmjetësit të BE-së Robert Kuper takimi i radhës është paraparë më 27 dhe 28 shtator dhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës si palë në këto bisedime kemi konfirmuar se jemi të gatshëm, tha Tahiri.
Sipas saj qëllimi i këtij dialogu me Serbinë mbetet i karakterit teknik.
Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse ne si Qeveri e Kosovës e kemi pranuar dialogun, prandaj edhe dialogu do të bëjë fjalë për temat praktike jo për çështje politike, përfundoi ajo.
mit/NOA