E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat, kapitull i mbyllur

Nga Express më 17 shtator 2011 në ora 18:33

Shefja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri, ka porositur homologun e saj serb nga procesi i dialogut Borisllav Stefanoviq, se Kosova asnjëherë nuk do të bisedojë për çështjen e pikave doganore në veri dhe se kjo çështje është kapitull i mbyllur një herë e përgjithmonë.

Ajo në një prononcim përmes telefonit për Kosovapress ka thënë se rrethi i ardhshëm i dialogut me palën serbe në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, do të mbahet më 27-28 shtator dhe aty do të diskutohet për tema që kanë mbetur nga radhët e kaluara pa përfunduar si telekomunikacioni e energjia.

“Në bazë të propozimit të ndërmjetësit të BE-së Kuper takimi i radhës është paraparë më 27 dhe 28 shtator dhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës si palë në këto bisedime kemi konfirmuar se jemi të gatshëm. “Në fakt qëllimi i këtij dialogut është i karakterit teknik. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse ne si Qeveri e Kosovës e kemi pranuar dialogun, prandaj edhe dialogu do të bëjë fjalë për temat praktike jo për çështje politike”, është shprehur Tahiri.

Pastaj kemi hapur temën e bashkëpunimit rajonal me 2 shtator ,kjo temë ka të bëjë me heqjen e pengesave që Serbia i paraqet bashkëpunimeve rajonale në përgjithësi dhe në veçanti pjesëmarrjes së barabartë të Kosovës në këto organizma rajonal dhe do të angazhohemi pra që përmes parimeve evropiane të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë të përfaqësuara si shtete dhe të mos krijohen pengesa të bashkëpunimit rajonal

Derisa Stefanoviq dje ka deklaruar se Serbia ia ka dërguar BE-së propozimin se Bërnjaku e Jarinje duhet të jenë zona me status të veçantë, dhe se nga këto dy vendkalime kufitare duhet larguar doganierët dhe policët e Kosovës, Tahiri është shprehur kategorike se çështja e marrëveshjes për vulat është e përfunduar.

“Dua të jap përgjigjen për disa tendenca të Qeverisë Serbe që u shfaqën dje dhe sot. Çështja e marrëveshjes për vulat është përfunduar si dhe zbatimi i saj bëhet nga secili shtet, veç e veç, nga Kosova dhe Serbia. Kjo çështje është e mbyllur. Ne si palë e kemi pranuar këtë si marrëveshje ndërkombëtare, sepse është e arritur në mes tre palëve, pra kemi BE-në si ndërmjetësuese dhe ne si Qeveri e Kosovës po i zbatojmë obligimet që i morëm më 2 shtator me rastin e pajtimit për arritjen e marrëveshjes për vulat doganore. Kjo çështje është e mbyllur dhe nuk është diskutuar asnjëherë çështja e doganave as nuk do të diskutohet, sepse është çështje e sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë Tahiri.

Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, ka thënë të premten mbrëma se Serbia i ka dorëzuar Bashkimit Evropian propozimin për “zgjidhjen e problemit” të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje, i cili parashikon që policët dhe doganierët e Kosovës “të mos jenë të pranishëm” në këto dy vendkalime kufitare.

Stefanoviq u ka thënë medieve serbe se Serbia angazhohet që përmes dialogut të arrihet deri te zgjidhja e problemeve, ndërsa ka kritikuar dërgimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës në veri, pasi kjo çështje sipas tij nuk është diskutuar në Bruksel.

“Është e qartë se më 28 shtator në rendin e ditës të bisedimeve në Bruksel do të jenë edhe vendkalimet administrative dhe nëse kjo nuk do të jetë, atëherë Prishtina këtë duhet t’ia shpjegojë opinionit. Jemi të gatshëm, që të arrijmë marrëveshje në cilindo vend tjetër, i cili i konvenon Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Stefanoviq.

Për më tepër, ai ka kërkuar një “status të veçantë” për Bërnjakun dhe Jarinjen në kuptimin etnik, të sigurisë, ekonomisë dhe strategjisë.

“Situata është e thjeshtë, ose do të mund të arrijmë marrëveshje përmes dialogut ose kjo gjendje do të vazhdojë me të gjitha rreziqet për të cilat përgjegjësinë duhet ta bartë bashkësia ndërkombëtare”, është shprehur Stefanoviq.

Ashtu sikur ishte paralajmëruar, të premten në mëngjes në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri janë vendosur doganierët dhe policët e Kosovës, të cilët atje janë dërguar me helikopterë të KFOR-it, pasi që serbët kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt këtyre dy pikave kufitare. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›